PD: Rama kandidon në Krujë të arrestuarin për drogë
PD ka denoncuar për lidhje kriminale në të shkuarën dhe si një person i përfshirë në trafik droge deputetin e PS, Artur Bushi. Ky i fundit do të jetë kandidati zyrtar i mazhorancës për Bashkinë e Krujës. Me anë të një deklarate për mediat, kreu i Grupit Parlamentar, Edi Paloka, ka denoncuar përfshirjen e Bushit në trafik narkotikësh, duke cituar edhe lajmet e bëra publike në mediat italiane.

"Edi Rama mbahet se e njeh mirë italishten dhe e viziton shpesh vendin fqinj. Ka qënë edhe në zonën e Varezes në Lombardi. Ja çfarë shkruan një gazete atje në 12 qershor të vitit 2010, rreth ndalimit të një bande që trafikonte drogë nga Holanda në Itali.

Arrestohet Artur Bushi, detto “Turi”, shkruan media italiane. “Une vera e propria banda”, thotë Varese news. Media prej disa kohësh ka publikuar të dhëna për këtë ngjarje, të arrestimit për drogë të deputetit të Edi Ramës, Artur Bushi.

Ja ku është gazeta italiane. Kryeministri ynë italishtfolës, që e përzgjodhi detto “Turi”, për ta futur në parlament, tani ka vendosur ta kandidojë atë për kryetar të Bashkisë së Krujës.
Shihni tabelën në ekran. Aty është fotoja e kandidatit të Edi Ramës për Krujën. Kjo nuk është një tabelë e nxënësve të dalluar, por është shpallje e policisë italiane për bandën e drogës.

Me kandidimin e Bushit, Edi Rama ka vendosur zyrtarisht të dalë kundër dekriminalizimit. Jo vetëm e përzgjodhi dhe i hapi dyert e parlamentit, por tani kryeministri po e thellon inkriminimin duke bërë një pakt tjetër me trafikantin, duke u përpjekur për ti dhënë më shumë pushtet, duke sfiduar hapur qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë.

Rama po del faqe botës jo vetëm si personi që hapi dyert e vërshimit të krimit në administratë, institucione e parlament, por edhe si kryeministri që mbron deri në fund skemën e tij kriminale. Nuk do t'ia dalë dot, kundër të gjithëve, kundër qytetarëve të vendit, kundër partnerëve ndërkombëtarë, kundër opozitës, kundër nevojës së kohës.

Ora e drejtësisë po vjen. Tani dekriminalizimin do ta bëjnë qytetarët e Krujës, duke refuzuar trafikantin, e duke zgjedhur ofertën e re. Dekriminalizimin do ta bëjnë mbarë shqiptarët me 21 qershor, duke refuzuar skemën kriminale, etërit e saj, Edi Rama dhe Ilir Meta", përfundon reagimi. /albeu.com/







Shtuar më 13/04/2015, ora 12:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori