PD: Rama i fali borxhet CEZ-it
Pëlqej
Deputeti i Partisë Demokratike Sherefedin Shehu deklaroi sot se në mungesë të plotë të transparencës, Edi Rama, hoqi dorë nga arbitrazhi me CEZ, ku sipas të gjithë rrethanave dhe fakteve, ky konflikt ishte potencialisht i fitueshëm nga shteti shqiptar.

Shehu deklaroi se Qeveria shqiptare hoqi dorë nga arbritazhi ndërkombëtar, edhe pse raportet e konsulentëve shqiptarë faktonin se CEZ ishte në thyerje të plotë të kontratës së privatizimit dhe se Shqipëria mund të kërkonte pranë gjykates së arbitrazhit ndërkombetër deri në tre miliardë dëme të shkaktuara nga kompania CEZ.


“Për të vlerësuar profesionalisht pretendimet e palëve, qeveria shqiptare mori si konsulente, të mirënjohurën BDO, kompania e pestë në botë, e specializuar për situata të konfliktit tregtar në sektorin energjetik. Kjo kompani, është prezente ne 144 vende, ka 1200 zyra dhe punëson 56 mijë punonjes. Raporti i përgatitur nga BDO, dhe i pranuar zyrtarisht nga qeveria shqiptare në shkurt 2014, tregon faktin se pretendimet e CEZ mbi qeverinë shqiptare sipas kalkulimeve të saj nuk janë me shume se 360 milionë euro. Raporti shprehet gjithashtu se “...këto pretendime janë të pajustifikuara, shpeshherë mbivendosen dhe nuk shoqërohen me dokumentacionin përkatës...”Pra, ndërsa vlerësohej se Shqiperia kishte të drejtë të kërkonte deri në 3 milardë dollarë nga CEZ, kjo e fundit kishte pretendime vetëm për 560 mln usd, pra rreth 6 herë më pak se pretendimet e drejta të shtetit shqiptar. Edhe këto pretendime të CEZ, sipas ekspertëve, ishin të pabazuara dhe të pajustifikuara”, tha Shehu.

Ai pyeti Kryeministrin Rama se përse Shqipëria hoqi dorë me kaq zell nga arbitrazhi ndërkombetar, kur sipas vlerësimeve të eksperteve ndërkombetarë, pretendimet e Shqipërisë ishin më shumë se pesë herë më të larta se pretendimet e vetë CEZ, dmth shanset për të marrë dëmshpërblimin e kërkuar ishin shumë të larta. /albeu.com/
Shtuar më 16/08/2014, ora 16:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori