PD: Rama dhe Nikolla favorizojnë klientelën e universiteteve private
Në një deklaratë për mediat, sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PD, Grida Duma, ka deklaruar se reforma e qeverisë në arsim, sikurse kishte paralajmëruar opozita, rezultoi e dështuar. Sipas PD, maturantët nuk u orientuan për grup-lëndët preferenciale të degëve që donin të vazhdonin para plotësimit të formularit dhe nuk u informuan për lëndët me zgjedhje dhe rëndësinë e secilës në llogaritjen e mesatares sipas profileve.

"Siç parashikuam për reformën e famshme në arsim, ashtu edhe doli. Edi Rama ia doli të prodhojë një skandal dhe dëm të pariparueshëm për të ardhmen e maturantëve që do të duhet të hynin në universitete.

Maturantët nuk kanë një përgjigje sot, pse nuk rezultojnë fitues, edhe pse shumë prej tyre kanë rezultate të larta e shumë të larta.

Nuk e dinë si është llogaritur mesatarja e tyre dhe se cila është diferenca midis mesatares të nxjerrë nga shkolla dhe asaj që del nga kriteret e aplikimit.

Maturantët nuk u orientuan për gruplëndët preferenciale, të degëve që donin të vazhdonin, para plotësimit të formularit.

Nuk u informuan për lëndët me zgjedhje dhe rëndësinë e secilës, në llogaritjen e mesatares sipas profileve.

Nuk morën asnjë informacion për degët që donin të ndiqnin. Nuk e dinë se në sa faza regjistrimi do kalojë vuajtja e tyre për të vazhduar arsimin e lartë.

Nuk marrin askund përgjigje për padrejtësinë që po i bëjnë. Qeveria i lau duart, duke ja hedhur përgjegjësinë universiteteve, por gishti i maturantëve është drejtuar sot tek Edi Rama dhe Lindita Nikolla.

Sepse ata i tradhtuan duke i ndryshuar rregullat në prag të përfundimit të maturës. Ishte Rama me Nikollën që vranë meritat e çdo maturanti, mbollën kaos, zhdukën transparencën dhe i futën universitetet në rrugë pa krye, duke favorizuar klientelën e tyre të universiteteve private.

Sot fshihen pas deklaratave boshe, por në të vërtetë kjo dyshe ka mashtruar, shpërfillur e përçmuar të rinjtë. Eliminimi i maturës shtetërore si provim hyrës, mungesa e akteve nënligjore për shkak të paaftësisë totale të MAS, e kanë degraduar sistemin e pranimit në një katrahurë të vërtetë.

Mungon merita. Nuk ka asnjë rregull apo normë. Maturantët nuk e dinë ende, pse ministria i voli atyre miliarda lekë me AKP-në e jashtëligjshme, dhe pasi i sorollati dyerve të shkollave, i ka lënë sot rrugëve para xhamave të universiteteve.

Familjet e maturantëve nuk e dinë, se si do t'i përballojnë tarifat e studimit e lloj-llojet e tarifave që shtohen çdo ditë në kurriz të tyre. Kjo braktisje e tallje me maturantët duhet të marrë fund.

Kjo tallje me të ardhmen e vendit nuk mund të vazhdojë më. Të rinjtë duhet të bashkohen e të ngrohen për ti dhënë fund këtij sistemi të korruptuar e kriminal në arsim. Maturantët, studentët do të jenë më mirë pa Edi Ramën. /albeu.com/
Shtuar më 06/09/2016, ora 14:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori