PD: Rama del në krah të Roshit
Partia Demokratike ka shënjestruar sërish kryeministrin Rama se është shfaqur sërish si mbrojtës i krimit në politikë, pikërisht pasi opozita paraqiti publikisht platformën e dekriminalizimit. Sipas kësaj force, me besnikërinë e shfaqur ndaj Roshit, Rama dëshmon se është kundër dekriminalizimit dhe se mbetet promotor i krimit në politikë e administratë.

"Edi Rama u shfaq sërish si mbrojtës i krimit në politikë, pikërisht pasi Partia Demokratike paraqiti publikisht platformën e dekriminalizimit.

Duke dalë nëpër ambjente publike në krah të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Edi Rama po sfidon qytetarët, opozitën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e partnerët europiane, të gjithë të angazhuar e me vullnet të qartë për ta pastruar politikën e zyrat publike nga personat e inkriminuar e me precedentë të tmerrshëm penale.

Platforma e dekriminalizimit sjell ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të të zgjedhurit të tij në Kavajë, por dhe në parlament, bashki e zyra të tjera, por Edi Rama ka preferuar t’i japë garanci njeriut të tij të dënuar për trafik droge në Zvicer, duke kaluar pushimet me të e duke u shfaqur me të në sytë e qytetarëve.

Me besnikërinë e shfaqur ndaj Roshit, Edi Rama dëshmoi se është kundër dekriminalizimit, dhe mbetet promotor i palodhur i krimit në politikë e administratë. Çlirimi i politikës dhe i zyrave publike nga krimi nuk ka për t’u mbajtur dot peng nga Edi Rama.

Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë ta çojë përpara procesin jetik të shkëputjes së vendimmarrjes nga krimi, nga soji i Roshit, Ndokës, Bushit e qindra te tjerëve që kanë kapur pushtetin përmes Edi Ramës.

Nëse vendos të mbrojë deri në fund krimin, Edi Rama do të ketë fatin e tyre. Vullneti i shumicës së shqiptarëve që kanë në krah partnerët ndërkombëtarë nuk ndalet dot nga aleanca në minorancë e krimit", përfundon reagimi. /albeu.com/

Shtuar më 07/08/2015, ora 15:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori