PD: Rama bën gati INSIG-un për miqtë e tij
Ina Zhupa, zëdhënësja e Partisë Demokratike, ka deklaruar sot se pronarët e rinj të INSIG-ut janë të paracaktuar. Në deklaratën për mediat, ajo tha se pronarët e rinj janë njerëz të afërt të Edi Ramës dhe vëllait të tij.

"Edi Rama tregoi sot me gisht për një orë rresht popullin e tij si hajdut, në një sallë të mbushur me dhunë me punonjës administrate në orar zyrtar, ndërkohë që ai vetë qëndron në krye të bandës që vjedh dhe gllabëron çdo ditë paratë dhe pasuritë e shqiptarëve.

Së fundmi, Edi Rama ka futur në kthetrat e tij edhe një tjetër pasuri publike, për ta ndarë me miqtë dhe klientelën.

Kompania e sigurimeve INSIG, pritet të privatizohet dhe pronarët e rinj janë paracaktuar. Procedurat do të jenë të kota e pa vlerë, pasi ky aset shtetëror me vlerë dhjetra milionë euro, do ti jepet miqve të kryeministrit.

Pronarët e rinj të INSIG pritet të jenë Gon Papuli dhe Gaz Demi.
Njëri ndërtues i sarajeve private të Edi Ramës në Dardhë e në Durrës, tjetri me lidhje të forta e së fundmi në ortakëri me Olsi Ramën në biznes.

Ky është një skandal, një akt korruptiv, me fitues të paracaktuar, pjesë e mendësisë së Edi Ramës për të marrë e plaçkitur, për të ndarë me miqtë çdo pasuri publike.

Me dhjetra koncesione e privatizime të kësaj natyre, po bëhen çdo ditë nga Edi Rama me pasuritë e paratë e shqiptarëve.

Eshtë koha, është ora që shqiptarët të reagojnë. Shqiptarët e kanë në dorë të ndalin këtë vjedhje, këtë babëzi, këtë hajdutëri të fondeve dhe pasurive publike. /albeu.com/

Shtuar më 29/01/2016, ora 14:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori