PD: Rama avokat i sarajeve të Kokëdhimës
Pëlqej
Partia Demokratike akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se po bën avokatin e sarajeve të Koço Kokëdhimës. Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat Arben Ristani deklaroi se Kryeministri mbrojti një ngrehinë të paligjshme dhe një masakër mjedisore.

“Është shkelur ligji i Urbanistikës i vitit 1998, ku thuhet se ndërtimet në zonat turistike përcaktohen në planet rajonale dhe masterplanet e zhvillimit. Plani rajonal është miratuar në vitin 2008, kështu që pretendimi i Koços për leje të vitit 2002, është tërësisht qesharak. Eshtë shkelur rregullorja e Urbanistikës e vitit 98, e cila nuk lejon ndërtime në një zone me gjërësi 250-300 metra nga niveli më i lartë i sipërfaqes ujore. Sarajet e Koços janë vetëm tre metra larg nga vija e ujit. Eshtë shkelur ligji për Rezervat Ujore, i vitit 1998. Neni 49 ndalon ndryshimin e mbulesës bimore në plazhe dhe brigje me gërmim apo ndërtim. Sarajet e Pashait të Jugut ndodhen vetëm pak metra nga vija e detit dhe më pak se 100 m nga këneta dhe lumi i Qeparoit”, u shpreh Ristani. Në vijim ai shtoi se pretendimi se ka leje të vitit 2002 është absurd pasi ligji i kohës e bën nul lejen nëse punimet nuk kryhen brenda 2 viteve, ndërsa bëri me dije punimet vazhdojnë edhe pas 12 vitesh. Ristani tha se pretendohet në mënyrë qesharake se ka ndërtuar në tokë të kthyer në pronësi me ligjin 7501, por bëjnë sikur nuk vënë re se është ndërtuar mbi zallin e bregdetit, mbi fushën e sportit të fshatit dhe në kuptim të ligjit 7501, mbi tokë bujqësore dhe jo mbi truall të miratuar për ndërtim.

Sipas tij, ndërtimi i Kokëdhimës bie ndesh me pesë ligje dhe dy plane urbanistike, por ai është ndërtimi i Koços, dhe Edi Rama është avokati i tij me prokurë. /albeu.com/

Shtuar më 19/09/2014, ora 13:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori