PD publikon kontratën e OSHEE-së me djalin e Leskajt
Deputetja demokrate Albana Vokshi, në prononcimin e dhënë për mediat ditën e sotme është ndalur me publikimin e fakteve për çështjen e OSHEE-së, ku përfshihet edhe tenderi i dhënë djalit të nënkryetares së Kuvendit, Valentina Leskaj. Nga selia blu, ajo ka publikuar faktet e tenderit të fituar nga djali i Leskajt, duke përcjellë edhe shumën e fituar.

"Faktet janë këto; 700 milionë lekë Edi Rama ka vendosur t'ia japë djalit të deputetes Leskaj, për trajtimin e stresit të punonjësve të OSHEE, për një punë 4 mujore.

Pra 6 milionë lekë në ditë për djalin e deputetes, ndërkohë që nje e treta e qytetarëve jetojnë në mjerim të plotë. 6 milionë lekë në ditë për stresin e OSHEE, kësaj bande kriminale, që ka shkaktuar depresion tek qytetarët, që ka çuar në vetëflijim 4 kryefamiljarë, me arrogancën e padrejtësitë e saj.

Ja ku përfundojnë paratë e marra me kërbaç e me burg tek të pamundurit. Tek të pamundurit, sepse deputeti i Ramës, debitor me 200 milionë lekë është i paprekshëm.

Dhe del tani, kryehajduti i OSHEE, Ardian Çela, e thotë se kjo nuk është e vërtetë. Po ky dokument, çfarë tregon?

Operatori i shpërndarjes së energjisë, formulari i njoftimit të fituesit, ku thotë se është shpallur fituesi ABKONS e Besnik Leskajt, ku i kërkohet kësaj kompanie të paraqitet në zyrat e OSHEE për të lidhur kontratën.

Ja ku është e zeza mbi të bardhë. Ky pra është shteti i korruptuar i Edi Ramës, që mashtron, vjedh dhe ndan paratë e gjakut të shqiptarëve, me miqtë e klientët. /albeu.com/

Shtuar më 09/11/2015, ora 13:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori