PD-PS pranë marrëveshjes për dekriminalizimin
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste pritet që soy të ballafaqojnë draftet e tyre ligjore për dekriminalizimin në Këshillin e Rregullores për Mandatet dhe Imunitetet.

Socialisti Taulant Balla dhe demokrati Oerd Bylykbashi, të mandatuar nga partitë e tyre për të përgatitur aktet nënligjore që do të bëjnë të mundshëm zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, kanë rënë dakord që t’i drejtohen këtij këshilli para seancës plenare të së enjtes.

Që prej 17 dhjetorit të vitit të kaluar, kur ligji u miratua me konsensus të plotë në Kuvend, palët kanë punuar së bashku për hartimin e akteve nënligjore, ku në pjesën më të madhe të tyre ka dakordësi.

I vetmi moment ku kishte pika ndarjeje ishte formulari i vetëdeklarimit të zyrtarit apo të të zgjedhurit, por tashmë dhe ato janë tejkaluar. Asnjë nga palët nuk dha dje detaje se çfarë do të përmbajnë aktet nënligjore, se si do të hyjë në zbatim ligji i dekriminalizimit dhe a do të jetë Këshilli i Rregullores së Kuvendit ku ato do të depozitohen.

Sipas afateve të caktuara nga Kuvendi që në muajin dhjetor, ligji duhet të nisë zbatimin më 6 mars 2016. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, u shpreh i impresionuar për miratimin e këtij ligji.

“Unë jam i impresionuar personalisht me miratimin e legjislacionit për të penguar kriminelët në sistemin politik. Ky është një hap i guximshëm, është një hap i rëndësishëm, dhe kjo është një deklaratë e rëndësishme në lidhje me rrugën që po merr Shqipëria. Jam i inkurajuar, shumë i inkurajuar, nga paketa e reformës gjyqësore që tani po konsiderohet të përmirësojë gjyqësorin dhe të lejojë një goditje më të madhe të korrupsionit”, tha Kerry gjatë vizitës së tij në Tiranë dy javë më parë.

Por aktet nënligjore nuk pritet të ulin tensionin në Parlament, ku opozita bllokoi javën e shkuar foltoren e tij, duke kërkuar që të dalin jashtë Parlamentit njerëzit me rekorde kriminale. Partia Demokratike depozitoi dy iniciativa ligjore për dekriminalizimin dhe komisionet hetimore parlamentare.

Një propozim parashikonte përjashtimin nga politika për funksionarët dhe të zgjedhurit kur ata arrestohen në kushtet e flagrancës të krimit kundër jetës dhe shëndetit.

Dy propozimet nuk u përfshinë në rendin e ditës së mbledhjes së kryetarëve, duke shkaktuar dhe reagimin e ashpër të opozitës në sallën e Kuvendit. /albeu.com/
Shtuar më 02/03/2016, ora 08:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori