PD: Prokuroria të nisë hetimet për akuzat e Thimios
Partia Demokratike i kërkoi sot prokurorisë të nisë menjëherë hetimet pas dëshmisë së dhënë në gjykatë nga koleksionisti Gjergji Thimio se Kryeministri Rama dhe deputeti i PS Koço Kokëdhima i kanë kërkuar pikturën 1 milionë euro

Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e kësaj partie, Laura Vorpsi ka theksuar se ‘kjo akuzë ndaj Edi Ramës bëhet edhe më e besueshme kur dihet se ai ka një të kaluar të pasur me denoncime të tilla, dhe kur dihet se Kryeministri duhej të gjente një dhuratë me vlerë për këshilltarin e tij, Toni Blair’.

"Dëshmitë e koleksionistit Gjergji Thimio para gjykatës janë tronditëse. Sipas këtyre dëshmive, Edi Rama dhe Koço Kokëdhima, kanë organizuar arrestimin e tij, pasi ai nuk pranoi t’u jepte një pikturë të Onufrit me vlerë 1 milionë euro. Thimio thotë se Koço Kokëdhima e ka kërcënuar dhe i ka thënë se do t’ia merrte koleksionin e çmuar me çdo lloj mënyre. Akuzat janë shumë të rënda. Prokuroria duhet të shqyrtojë këtë dëshmi dhe të hedhë dritë me aferën e Rama-Kokëdhimës me veprat e artit. Kjo akuzë ndaj Edi Ramës bëhet edhe më e besueshme kur dihet se ai ka një të kaluar të pasur me denoncime të tilla, dhe kur dihet se Kryeministri duhej të gjente një dhuratë me vlerë për këshilltarin e tij, Toni Blair. Gjergji Thimio gjithashtu ka lëshuar akuza të rënda se pas operacionit televiziv të policisë nën udhëheqjen personale të Kryeministrit, janë zhdukur shumë vepra të rëndësishme arti. Thimio përmend edhe Artan Lamen si pjesë të skenarit të vënë në jetë për arrestimin e tij, dhe përvetësimin nga Rama-Kokëdhima-Lame të koleksionit të çmuar të veprave të artit. " u shpreh Vorpsi. /albeu.com/

Shtuar më 08/05/2014, ora 15:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori