VOA: Epidemia në Shqipëri po thellohet

Në Shqipëri po thellohet epidemia Covid-19. Tre persona, një 57-vjeçar nga Shkodra, një 65-vjeçar nga Tirana dhe një 76-vjeçar nga Durrësi, humbën jetën në Spitalin ‘Infektiv’.

Bashkë me to shkoi 72 numri i të vdekurve nga Covid-19 qysh nga fillimi i marsit. Në atë Spital mbahen të shtruar 80 pacientë, 9 nga të cilët nën terapi intensive.

Aty po merr trajtim spitalor edhe një fëmijë dy muajsh, i prekur nga Covid-19, i cili është në gjendje të qëndrueshme bashkë me nënën.

Po ashtu, u zbuluan edhe 90 qytetarë të tjerë të infektuar me Covid-19, me të cilët numri i përgjithshëm i të infektuarve aktivë shkoi në afro një mijë e 100 persona.

Ata gjenden shumica në Tiranë, Shkodër, Durrës. Shpërndarja e rasteve përfshin edhe Krujën, Kurbinin, Vlorën, Përmetin e Pogradecin.

Më pak raste ka në Kukës, Lezhë, Kavajë, Lushnje, Kolonjë e Kamëz.

Nga fillimi i epidemisë Shqipëria ka shënuar mbi 2 mijë 700 raste me Covid-19, të cilat janë zbuluar me mbi 28 mijë testime gjithsej./VOA/


Shtuar 3.07.2020 21:23