PD nxjerr me emra ish-spiunët e komunizmit që u rikthyhen në SHISH
Partia Demokratike ka denoncuar sot një skandal emërimesh në Shërbimin Informativ Shtetëror, rikthimin e 9 ish-oficerëve të Sigurimit të Shtetit në poste të larta drejtuese nga Helidon Bendo, njeriu i besuar i kryeministrit Edi Rama.

Deputeti Enkelejd Alibeaj bëri një deklaratë me emra dhe fakte nga selia blu duke theksuar se "Shërbimi më i mirë që sot mund t’i bëjmë vendit është të largojmë pa humbur kohë arkitektin e qeverisjes me Sigurimin e Shtetit!"

DEKLARATA E PLOTE:

"Bashkëpunimi me krimin dhe korrupsioni i perhapur ne çdo qelizë të qeverisë janë dy tiparet më dalluese të qeverisë së Edi Ramës. Por skema e sundimit të tij, është e paplotë, nëse lihen jashtë saj njerëzit e sherbimit sekret më të egër të Lindjes, Sigurimit të Shtetit. Pasi mori në qeveri të gjithë pasardhësit e Byrosë Politike, miq të afërt të tij, Edi Rama riktheu në poste të rëndësishme drejtues të Sigurimit të Shtetit.

Policia e Shtetit sot drejtohet në të gjithë piramidën e saj nga ish oficere dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Rasti i Prokurorit të Apelit të Krimeve të Rënda, Bujar Sheshi, spiun i Sigurimit, u emëruar në kundërshtim me ligjin, në mënyrë që Edi Rama dhe vegla e tij Arta Marku të kontrollojnë Këshillin e Lartë të Prokurorisë nëpërmjet shantazhit.

Skema për të drejtuar shtetin që pretendon të anëtarësohet në Bashkimin Europian, me njerez të Sigurimit të Shtetit, tani po funksionon edhe në Shërbimin Informativ Shtetëror.

Partia Demokratike disponon të dhëna se nën drejtimin e njeriut të Edi Ramës në shërbimin sekret, Helidon Bendo, të paktën 9 ish oficerë dhe operativë të Sigurimit të Shtetit janë emëruar në poste shumë të larta drejtuese në kundërshtimin me ligjin e promovimit në detyrë të personave që figurojnë në dokumentacionin e Sigurimit të Shtetit.

Lista jep të qartë emrat dhe detyrat e larta ku janë emëruar pas marrjes së shërbimit sekret nën kontrollin e Edi Ramës.

1- Rafail Milo: ish oficer i Sigurimit të Shtetit. Nga inspektor, ai emërohet Drejtor i Departamentit të Administratës në SHISH. Ka në varësi Drejtorinë Juridike dhe atë Ekonomike.

2- Qerim Dedja: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor emërohet drejtor i Drejtorisë së Sigurisë

3- Mevlud Matraku: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, punëtor operativ, kryesisht në Sarandë. Nga inspektor, është emëruar Drejtor i Performancës. Bën vlerësimin e të gjitha drejtorive të linjës informative operative.

4- Vladimir Elezi: ish punëtor operativ i Sigurimit të Shtetit është emëruar Drejtor në SHISH në Elbasan.

5- Gëzim Bime: ish oficer i Sigurimit të Shtetit nga inspektor, emërohet Drejtor kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit (drejtori e rëndësishme në punën operative)

6- Ilir Tafa: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, emërohet Drejtor i Drejtorisë SHISH, në Durrës. Vëllai i tij është Afrim Tafa, ish Drejtor Policie, i cili është në listat e punonjësve të policisë, i implikuar në trafikun e drogës.

7- Sokrat Mite: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor, emërohet zëvendësdrejtor i Departamentit të Kundërzbulimit.

8- Agim Karralli: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor, emërohet Drejtor i Drejtorisë SHISH Tiranë.

9- Rinald Serhani: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, emërohet Drejtor në SHISH.

Për dy emrat e parë, Autoriteti i Dosjeve ka zbuluar dokumentacion të mjafteshëm që i bën ata të papërshtatshëm për promovimin në detyrë, ndërsa për 7 të të tjerët, ka prova të qarta në dojet e tyre personale në SHiSH se kanë qenë oficerë të shërbimit sekret të diktaturës.

Sot kam një pyetje për çdo qytetar shqiptar: A besoni se rendi, drejtësia, siguria mund të garantohen nga njerëz që dikur na kanë torturuar dhe na kanë masakruar, na kanë mbajtur të izoluar si në kafaz?

Partia Demokratike është e bindur se përgjigja e shumicës së shqiptare pergjigjen me një Jo të fortë! Sigurimi i Shtetit nuk mund të na japë as drejtësi, as rend dhe as siguri! Shërbimi më i mirë që sot mund t’i bëjmë vendit është të largojmë pa humbur kohë arkitektin e qeverisjes me Sigurimin e Shtetit!
Shtuar më 27/01/2019, ora 13:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori