PD nuk kënaqet me dënimin e Shullazit, sulmon Edi Ramën
Pëlqej
Gjykata ka dënuar sot me 55 vite burg anëtarët e bandës Shullazi por sipas Partisë Demokratike këto vite janë pak pasi i ka mbështetur Edi Rama.

PD-ja edhe këtë herë nuk ka ngurruar të përfitojë politikisht dhe ka reaguar për vendimin e gjykatës ku sipas nëse s'do kishte mbështetjen e Ramës, Shullazi do dënohej më rëndë.

PD më tej shton se Shullazi u arrestua falë denoncimeve dhe betejës kësaj partie.

Deklarata e plotë e PD:

"Sot gjykata dënoi bandën e Emiljano Shullazit, që u arrestua vetëm falë denoncimit dhe betejës së pandërprerë të PD, si dhe mbeshtetjes së SHBA. Nëse Emiljano Shullazi dhe banda e tij, nuk do të kishin mbështetjen e Qeverisë së Edi Ramës, dënimi i bandës do të ishte sot shumë më i rëndë. Ata nuk do të ishin dënuar vetëm për gjobëvënie, por edhe për krime të tjera të rënda, që janë lënë pa zbuluar, pasi policia dhe drejtësia kanë mbyllur sytë.

Kjo bandë është autore e disa vrasjeve, e trafikut të drogës, shkatërrimit të pronës me eksploziv, grabitjes së pasurive të paluajtshme. Në vend të dënimit të merituar, Edi Rama i ka dhënë pushtet edhe në burg Emilano Shullazit për të emëruar deputetë, drejtues të institucioneve vendore e qendrore.

Dënimi i bandës së Shullazit është një betejë ende e pafituar plotësisht. Prapa hekurave duhet të jenë edhe anëtari me pushtet politik i bandës, deputeti i PS Jurgis Çyrbja. Përgjimet e prokurorisë faktojnë se deputeti Jurgis Çyrbja ishte një anëtar aktiv i bandës së Shullazit dhe informonte bandën për hetimet e prokurorisë.

Shqiptarët presin sot përgjigje nga prokuroria: kur do të arrestohet dhe të vihet përpara drejtësisë Jurgis Çyrbja, si anëtar i bandës së Emiljano Shullazit? Po Edi Rama dhe Saimir Tahiri a do të hetohen dhe të vihen përpara përgjegjësisë për mbështetjen shtetërore që i kanë dhënë bandës së Emiljano Shullazit? Drejtësia do të bëhet e plotë! Edi Rama, Saimir Tahiri dhe Jurgis Çyrbja, shumë shpejt do të kenë fatin e Shullazit!"

Pas dy vitesh dhe rreth 50 seancash, kjo gjykatë ka dhënë sot vendimet për 5 anëtarët e grupit kriminal. Gjyqtari Fran Prendi dënoi me 14 vite burg "kokën" e bandës Emiljano Shullazi për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzën e presionit dhe kanosjes ndaj dy rektorëve Mynyr Koni e Dhori Kule dhe atë të shkatërrimit të pronës, për vendosje tritoli biznesmenit Jani Zaka në Tiranë dhe Adriatik Kuçuku në Lushnje.
Shtuar më 13/11/2018, ora 18:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori