PD nis sesionin e ri parlamentar me protestë kundër Ruçit dhe Xhafës
Ditën e shtunë në 9 shtator starton dhe sesioni i ri parlamentar, ku shumë emra politikanësh do të mungojnë dhe shumë emra të rinj do të bëjnë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë.

Por ky sesion i ri parlamentar pritet të nisë me protesta që në fillim të tij. Mësohet se Partia Demokratike po përgatit të protestojë para Kuvendit, të shtunën e 9 shtatorit ku deputetët do të votojnë për qeverinë e re.

Vendimi në selinë blu pritet të merret në fillim të javës kur do të mblidhet dhe grupi parlamentar, ndërsa ende nuk sqarohet në qoftë se nëpërmjet protestës, demokratët do të synojë të bllokojë seancën parlamentare.

Skenarët e protestës po diskutohen në forumet organizative, ndërsa burime të besueshme theksojnë se po mendohet që ajo të shtrihet brenda dhe jashtë parlamentit me synim për të pamundësuar votimin e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit dhe të Fatmir Xhafajt, si ministër i Brendshëm.

Ditën që Rama shpalli qeverinë e re, kryetari i Partisë Demroaktike Lulzim Basha, reagoi duke theksuar se ai konsolidoi dhe riktheu në pushtet elitën komuniste, ndërsa sipas tij, Shqipëria sot drejtohet nga disa nga figurat famëkeqe komuniste ose pinjollët e tyre duke përmendur, Edi Ramën, Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafën, Ditmir Bushatin dhe Sonila Qaton.

Seanca e parë parlamentare për konstituimin e qeverisë së re nuk do të jetë e qetë, pasi deputetët demokrat do të kërkojnë më ngulm që të mbajnë fjalime të cilat do të shënjestrojnë me akuza kryesisht Gramoz Ruçin dhe Fatmir Xhafën.

Por krahas aksionit opozitarë, kjo jave do të jetë intensive për kryetarin e opozitës Lulzim Basha, pasi do ti duhet të zgjedh emrat që do e përfaqësojnë në organet e Kuvendit por edhe për funksionarët e grupit parlamentar, njofton Ora News.

Basha ende nuk ka vendosur për kryetarin e ri te grupit parlamentarë por as për kryetarët apo nënkryetarët e komisioneve parlamentare të cilët në bazë të rregullores i përkasin Partisë Demokratike. /albeu.com/


Shtuar më 03/09/2017, ora 17:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori