PD: Mazhoranca refuzon vendimin e Gjykatës Kushtetuese
Partia Demokratike i kerkoi sot Kryetarit të Kuvendit të fusë menjëherë në rendin e ditës, kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor për serverin e tatimeve, pasi është një e drejtë kushtetuese e opozitës. Në një deklaratë për mediat, deputetit i PD-së, Eduart Halimi u shpreh se prej më shumë se dy javësh maxhoranca refuzon ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që urdhëroi ngritjen e menjëhershme të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me skandalin e vjedhjes së të dhënave tatimore.


"Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sipas nenit 132 të Kushtetutës , janë të detyrueshme për gjithkënd, dhe të gjithë janë të detyruar t’i zbatojnë ato menjëherë, dhe pa vonesa, qoftë Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, dhe çdo qytetar i vendit. Gjykata Kushtetuese, me datë 16 maj, në mënyre unanime, shpalli si delikt kushtetutes, refuzimin që mazhoranca i bëri opozitës për transparencën e ngjarjes së serverit të tatimeve, për fshehjen nga përgjegjësia direkte e Kryeministrit të vendit që urdhëroi vjedhjen natën të të dhënave tatimore" tha Halimi.

Me tej Halimi u shpreh se PD priti që Kryetari i Kuvendit të zbatonte vetë Kushtetutën e vendit, duke ekzekutuar vendimin e Gjykatës Kushtetutese, por pas heshtjes së plotë, me 3 qershor, Partia Demokratike iu drejtua Kryetarit të Kuvendit me kërkesën publike dhe të shkruar për ekzekutimin e ketij vendimi, ngritjen e menjëhershme të komisionit hetimor, tha Halimi.

Halimi e ka konsideruar moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushetutese nga maxhoranca si arrogancë, duke e akuzuar qeveria, Kuvendi se janë kapur nga krim kushtetues dhe vazhdojnë në rrugën e antiligjit dhe antikushtetushmërisë, duke treguar para qytetarëve se sa i madh është zullumi që eshte kryer natën në serverin e tatimeve.
Shtuar më 18/06/2014, ora 15:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori