PD: Kryeministri ktheu inkriminimin në standard
Pëlqej
Partia Demokratike akuzoi sot Kryeministrin Edi Rama se po e nis vitin e dytë të legjislaturës me një mazhorancë të inkriminuar. Në një qëndrim zyrtar të PD thuhet se teksa Rama ka në krah deputetë të dënuar për trafik prostitucioni dhe rrëmbim personi, po rrit ekspansionin në kapjen e institucioneve dhe të drejtësisë.

“Ai e quan mazhorancën dinjitoze, por ndërkohë të gjithë shqiptarët e kanë parë malin e provave dhe të dokumentave zyrtare, që dëshmojnë të kundërtën. Dosje tronditëse, për krime ngjethëse të kryera nga deputetë, që vetë Rama me firmën dhe vulën e vet i dha mandat e imunitet parlamentar. Flet për drejtësinë, një kryeministër që dëboi dy kandidate gra nga lista, për ti hapur rrugë deputetit të dënuar me 7 vite burg nga drejtësia italiane për krime të rënda.Flet për drejtësinë, një kryeministër që ka bërë drejtorë, shefa, kryetarë të këshillit të qarkut, persona me të shkuar kriminale, të njohur nga drejtësia, dhe të njohur mirë dhe nga qytetarët për bëmat e tyre” thuhet ne deklaraten e PD.

Më tej shtohet se Rama e ka kthyer inkriminimin në standard, duke nënvizuar se është gjëja më e papranueshme se pikërisht ky Kryeministër që themeloi dhe ndau më pas pushtetin me aleancën e krimit, të flasë e të predikojë drejtësinë. /albeu.com/
Shtuar më 08/09/2014, ora 15:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori