PD: Këshilli i Mandateve të mos drejtohet nga Meta
Tre deputetët e PD në Këshillin e Rregullores, mandateve dhe imunitetit, i kanë dërguar sot një letër Kuvendit, duke kërkuar që mbledhja në të cilën do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e Frrokut të mos drejtohet nga Meta.

"Tre deputetët e Partisë Demokratike në Këshillin e Rregullores, mandateve dhe imunitetit i kanë dërguar sot një letër Kuvendit, duke kërkuar që ky Këshill, ditën e nesërme të mos kryesohet nga Ilir Meta. Nesër ky Keshill do të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Pergjithshme për arrestimin e deputetit Mark Frroku, por është fakt i njohur botërisht se Mark Frroku është dëshmimtari kyç ne çështjen tjetër që është në hetim, për vrasjen e ngelur në tentative të dy deputeteve të Parlamentit, njëri i PS dhe tjetri i PD, ku si i akuzuar i drejpërdrejtë është vetë Ilir Meta.

Drejtimi i këtij Këshilli nga Ilir Meta, në procesin e shqyrtimit të arrestimit ndaj deputetit Mark Frroku që cilësohet prej organit të akuzes si dëshmimtar kyç në çështjen Doshi-Meta, përbën pa as më të voglin dyshim një konflikt të hapur interesi, fakt ky i pranuar publikisht dhe nga Ilir Meta.

Partia Demokratike përsërit qëndrimin e saj koherent gjatë 10 viteve të fundit, se për PD, për deputetet e saj, është e paimagjinueshme të pengojë ecurinë e kërkesës së prokurorisë për të zhvilluar hetime ndaj çdo deputeti.

Për këtë arsye, shkresën e kemi dorëzuar që ditën e sotme duke i krijuar mundësinë mazhorancës që të marrë masat e duhura për zhvillimin e seancës së nesërme dëgjimore, me një drejtues tjetër të këtij këshilli dhe jo Ilir Meten, dhe për të dëshmuar para qytetarëve një proces të rregullt, ligjor dhe transparent në prani të mediave.

Çdo devijim nga standartet e ndjekura deri tani gjatë këtyre 10 viteve, përfshi dhe seancat e javës së kaluar në këtë Këshill, do të kompromentonte rëndë veprimtarinë parlamentare në përgjithësi dhe atë të këshillit të rregullores, mandateve dhe imuniteteve në veçanti.

Po ashtu, grupi parlamantar i PD ka kërkuar plotësimin e vendit vakant të opozitës në këtë Këshill, në mënyrë që përbërja ditën e nesërme të jetë e plotë, siç kërkohet ekzaktesisht nga neni 13 i Rregullores së Kuvendit, në numra të barabartë deputetesh, të mazhorances po aq dhe të opozitës", tha Halimi. /albeu.com/
Shtuar më 30/03/2015, ora 15:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori