PD kërkesë Kuvendit: Të enjten të kalojë dekriminalizimi
Partia Demokratike i ka dërguar sot kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, një kërkesë për të vënë në zbatim ligjin e dekriminalizimit.

Me anë të një njoftimi për shtyp nga selia blu, grupi parlamentar i PD i ka kërkuar Kuvendit që aktet nënligjore që mundësojnë vënien menjëherë në veprim të këtij ligji, të miratohen në seancën e së enjtes, më 25 shkurt.

"Partia Demokratike i drejtoi sot Kryetarit të Kuvendit një kërkesë për të vënë në zbatim ligjin e Dekriminalizimit.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Kuvendit që aktet nënligjore që mundësojnë vënien menjëherë në veprim të Ligjit për Dekriminalizimin të miratohen të enjten, me 25 shkurt.

Edhe pse sekretari amerikan i Shtetit e cilësoi Dekriminalizimin si histori suksesi dhe si model që duhet ndjekur, Edi Rama vazhdon të ndajë pushtetin me Ndokën, Bushin, Roshin, e së fundmi i hapi rrugën rikthimit në parlament Armando Prengës, i cili me dorën e tij, me armë pa leje, përgjaku qytetarët brenda komisariatit të policisë.

Në kushtet kur Edi Rama po dëshmon çdo ditë mungesë vullneti për zbatimin e dekriminalizimit dhe përkrahje të hapur për të inkriminuarit e tij në parti dhe në poste publike, Partia Demokratike do të kushtëzojë çdo funksionim normal të parlamentit me miratimin këtë të enjte të vendimit që vë në zbatim ligjin e Dekriminalizimit". /albeu.com/


Shtuar më 23/02/2016, ora 11:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori