PD: INUK, aksion selektiv në prishjen e ndërtimeve
Pëlqej
Partia Demokratike akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se po abuzon me prishjen e ndërtimeve pa leje duke zhvilluar një aksion selektiv. Në një deklaratë për mediat deputeti i kësaj partie Bedri Mihaj theksoi me bekimin e kryeministrit Edi Rama po bëhen ndërtime pa leje.

“Me bekimin e Edi Ramës, dhe me përkujdesin e tij të vecantë, INUK ka thelluar këto ditë një aksion selektiv e korruptiv të prishjes së ndërtimeve më vend.
Me arbitraritet, ditën për diell, e në sytë e të gjithëve, prishet shtëpia e dikujt që nuk ka njohje e lidhje me oligarkinë, dhe lejohet ndërtimi i dikujt tjetër që ka njohje, ka lidhje me oligarkinë në pushtet. Me bekimin e Edi Ramës, dhe me kujdesin e tij të vecantë, po ndërtohet këto ditë pa leje. Ditën për diell dhe në sytë e të gjithëve.”- u shpreh Miha.

Më tej ai vijoi duke thënë se ka raportime për themele që hidhen dhe tulla që vihen pa leje, nga bregu i jugut deri në Shkodër. “Këto janë sarajet e miqve dhe klientelës së Edi Ramës. Këto shembje selektive e korruptive të ndërtimeve, dhe ndërtimet pa leje që po mbijnë si kërpudha qeveritare lart e poshtë, vazhdojnë edhe tani që propaganda e Kryeministrit për territorin arrin kulmin. Propaganda e tij mashtruese, bëhet shqetësuese kur ndodh në sytë e Policisë së Shtetit, e cila thirret nën armë për interesat klienteliste të Kryeministrit me territorin, ndërkohë që krimi po shtang cdo ditë qytetarët, kur aksidentet po marrin jetë njerëzish, kur vjedhjet, e grabitjet me dhunë nuk ndalen e nuk ndalen”- theksoi deputeti i PD-së.

Sipas tij, shqiptarët po jetojnë çdo ditë realitetin kur qeveria dhe INUK-u i saj dhunojnë dhe sillen arbitrarisht me pronën. /albeu.com/
Shtuar më 25/08/2014, ora 11:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori