PD fton qytetarët në protesta për çmimin e energjisë elektrike
Referuar rritjes së çmimit të energjisë elektrike, PD ka bërë thirrje që qytetarët të mos rrinë në heshtje, por të dalin në protesta. Sipas kësaj force, shqiptarët janë të varfër, e ndërsa vendi do zhytet më tej në borxhe. Grida Duma, koordinatorja në PD, tha se askush nuk mund të luajë me jetën dhe të ardhmen e shqiptarëve.

“Ka ardhur koha që të gjithë së bashku ti themi ndal të keqes që ka mbërthyer vendin. Ka ardhur koha të ngrihemi e ti ndalim.
Dy milionë e 100 mijë shqiptarë të varfër, të zhytur në borxhe, pa punë, në ankth për bukën e gojës dhe pa shpresë për të ardhmen, do të vuajnë edhe më shumë nga vendimi që ka marrë Edi Rama për të rritur çmimin e energjisë elektrike.

Janë dy milionë e 100 mijë shqiptarë që konsumojnë më pak ose deri në 300 KW në muaj, të mbrojtur deri tani me anë të çmimit 77 lekë për kilovat. Edi Rama e hoqi fashën mbrojtëse për këtë kategori që është rreth 77 përqind e konsumatorëve.

Çmimi i energjisë elektrike është edhe sot shumë i lartë, krahasuar me të ardhurat e qytetarëve dhe duke ditur se kostoja e prodhimit tek ne është më e ulëta në Europë”, tha Duma.

“Me heqjen e fashës mbrojtëse, fatura mujore për 2 milionë e 100 mijë shqiptarë do të jetë deri në 70 përqind më e shtrenjtë.
Vetëm një pushtues do të sillej kështu me popullin e tij. Eshtë Edi Rama që premtoi uljen e cmimit të energjisë elektrike me 20 përqind, pasi u zotua se do të hiqte TVSH-në.

Eshtë Edi Rama që premtoi rilindje, legalizim e shëndetësi falas, 300 mijë vende pune. Po shihni ku e katandisi vendin. Papunësi, varfëri, pasiguri. Rritje të çmimeve, rritje të çmimit të energjisë, rritje të çmimit të naftës.

Deri ku do të shkojë e keqja që s'ka fund me këtë kryeministër, me këtë qeveri. Shqiptarët nuk i'a kanë për borxh oligarkut Rama dhe skotës së tij. E keqja nuk do të ndalet derisa ne të gjithë së bashku ta ndalim”, deklaroi Duma. /albeu.com/

Shtuar më 25/10/2014, ora 13:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori