PD: Emigrantët në Greqi të zhgënjyer nga qeverisja në Shqipëri
Departamenti i Emigracionit dhe Diasporës në Partinë Demokratike zhvilloi një tur takimesh me komunitetin e shqiptarëve në Selanik të Greqisë, ku u diskutua për rritjen e rolit të emigrantëve shqiptarë në Shqipëri.

Kreu i Departamentit, Bardh Spahiu, theksoi rolin dhe kontributin e madh të emigracionit shqiptar në Greqi. Spahia ndau me komunitetin shqiptar atje shqetësimet e për zhvillimet në Shqipëri ku vendi po kalon fazën më të rëndë në këto vite të ekonomisë dhe pasigurisë.

“Në këto afro dy vjet, qeverisja dhe mazhoranca Rama-Meta kanë shënuar vetëm regres, ku prindërit e të afërmit tuaj në Shqipëri dhe të gjithë shqiptarët po u shtrengohet laku i krizës së gjithanshme.

Shqiptarët jetojnë nën një dhunë të pashoqe të shtetit policor me aksione antiligjore të INUK dhe policisë që arreston për faturat e energjisë. Shteti mbyll në burg të varfërit dhe njerëzit me halle dhe hap dyert e zyrave për krimin dhe monopolet e klientelës qeverisëse”, tha Spahia.

Ai u shpreh se shqiptarët nuk kurohen falas, ilaçet janë shumë të shtrenjta, nuk ka rritje pagash e pensionesh, ka rritje taksash, papunësi të lartë, nuk është ndërtuar një kilometër rrugë, investimet e huaja po ikin nga Shqipëria, pasi krimi dhe tritoli janë fryma e kësaj qeverie. “Biznesi po mbytet nga taksat dhe kërcënimet e monopoleve e shtetit. Të rinjtë janë në depresion dhe kërkojnë të lenë sa më parë vendin sepse ka humbur shpresa dhe perspektiva”.

Komuniteti i shqiptarëve në Selanik shprehu shqetësimin dhe keqardhjen e thellë për gjendjen e mjeruar që gjenden familjet e tyre në Shqipëri, veçanërisht në Korçë, Lezhë, Berat e Kukes, ku pensionet nuk mjaftojnë për prindërit e tyre, ku nuk ka ujë e drita, rritjen e madhe të pasigurisë dhe nivelit të krimit.

Ata shprehën edhe shqetësimin e shkatërrimit të pronave të tyre nga shteti. Shqiptarët në Selanik kërkuan mbështetje në politika lehtësuese nga Shqipëria në mënyrë që ata të kenë mundësi të investojnë më shumë në Shqipëri. Shumë prej tyre shprehën shqetësimin për arrogancën qeveritare në Shqipëri që i ka detyruar që të mos kthehen në vendin e tyre për të jetuar e punuar.

Drejtuesit e Departamentit Emigracionit dhe Diasporës në PD u takuan edhe me autoritetet rajonale të Selanikut. Në bashkëbisedimin me prefektin e rajonit Apostolos Tzitzikostas, u diskutua në veçanti në mbështetjen per zgjidhjen e pershpejtimit te procedurave per marrjen e kartave të qëndrimit të emigrantëve shqiptarë në Selanik. /albeu.com/

Shtuar më 28/03/2015, ora 17:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori