PD e ankimoi si anti-kushtetues, nis shqyrtimi i ligjit për KLGJ dhe KLP
Gjykata Kushtetuese ka nisur shqyrtimin e kërkesës së PD për ligjin për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit, KLGJ, dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, KLP.

Ka qënë Partia Demokratike e cila në dhjetor të vitit 2016 ka ankimuar ligjin “Për organet e qeverisjes në drejtësi”.

Në ankimimin e bërë, ekspertët e Partisë Demokratike theksojnë se formula e përcaktuar në ligj për zgjedhjen e 5 anëtarëve nga Parlamenti në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë është në shkelje të ligjit themeltar të shtetit.

Kushtetuta përcakton se për këto dy institucione, 2 anëtarë zgjidhen nga avokatët, 2 nga trupa e pedagogëve, dhe 1 nga shoqëria civile. Ligji ka parashikuar si mekanizëm filtrimin e një komision ad hoc të pavarur, i cili vlerëson dhe skualifikon kandidatët duke hartuar listën finale me 10 emra.

Demokratët thonë se me parashikimet e bëra në ligj, mazhoranca i dha shkelmin konsensusit të 21-22 korrikut, pasi më herë palët ranë dakord që procesi për përzgjedhjet e anëtarëve të KLGJ dhe KLP të niste në Kuvend, duke përfshirë sekretarin e përgjithshëm të Kuvendit dhe një komision me 5 anëtarë dhe votim me 2/3, shkruan BW.

Me kërkesë të demokratëve atëherë u rrëzua pika që parashikonte që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të ishte komisioni që bënte renditjen e kandidatëve dhe t’ia dërgonte Kuvendit për miratim. Juristët demokratë gjatë dorëzimit të ankimimit, thanë se përmes ligjit mazhoranca prish marrëveshjen historike të 21-22 korrikut./albeu.com/

Shtuar më 28/03/2017, ora 10:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori