PD: Dyshja Rama-Meta të frikësuar nga humbja e sigurtë në Vorë
Partia Demokratike përmes një deklarate për shtyp nga Astrit Patozit, denoncon atë që e konsideron si shpeshtim i rasteve dhe incidenteve të dhunës për motive të qarta politike, që po ndodhin në territorin e Bashkisë së Vorës.

Patozi, deklaron se dyshja Rama-Meta janë të trembur nga humbja e sigurt që i pret në Bashkinë e Vorës, edhe pse nuk ka nisur ende fushata elektorale sipas Kodit Zgjedhor, po i bazon përpjekjet për shpëtim nga humbja te raprezaljet policore, presioni shtetëror dhe te dhuna e falangave të krimit.

"Vëllai i kryetarit të Partisë Socialiste të Prezës, Agim Kajmaku, goditi në një ambient publik shefin e kabinetit të kryetarit aktual të Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, i cili kandidon për zgjedhjet e 21 Qershorit nën siglën e Partisë Demokratike. Zoti Subi Përzhilla u sulmua në mënyrë të papritur nga agresori i dhunshëm, sepse, sipas këtij të fundit, tani pushtetin e kishte e majta dhe askush tjetër nuk mund të guxonte të fitonte përveç saj dhe se Partia Demokratike as fushatë nuk duhet të bënte", është shprehur Patozi në deklaratën e tij.


Gjithashtu ai ka vijuar duke theksuar mbi rastet që kanë ndodhur në këtë periferi të Tiranës, ku thekson se vetëm dy netë më parë, një punonjës i Policisë Bashkiake u shoqërua pa asnjë shkak nga forcat e komisariatit 6 dhe u mbajt disa orë pa asnjë arsye bindëse.

Ndër të tjera Patozi shprehet se ngjarje të tilla po bëhen të shpeshta edhe në fshatrat e tjera, që përfshihen në territorin e kësaj bashkie, sidomos në Prezë, ku spikat zelli i shefit të krimeve, Përparim Zenuni, që më shumë se punonjës i Policisë së Shtetit duket se është një militant i thekur partie, siç theksojnë nga selia blu.

Gjithashtu PD-ja denoncon dhe atë që e quan si prani të shtuar të nëpunësve të Administratës Shtetërore në zonat e Vorës, Prezës dhe Bërxullit, ku përfshijnë sipas tyre ministra të kabinetit të kryeministrit Edi Rama, kryesisht të LSI-së, e deri te drejtorët e rëndësishëm, që u bëjnë presion të hapur arsimtarëve, mjekëve, bizneseve dhe subjekteve të tjera private. /albeu.com/
Shtuar më 17/05/2015, ora 10:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori