I hodhi në shpatulla Shaqirit xhupin me fanellën UÇK-së, dënohet tifozi

Ditën e djeshme një moment kur një tifoz i hedh në shpatulla Shaqirit një xhup me fanellën e UÇK-së teksa ky i fundit ishte duke folur për mediat pas fitores ndaj Irlandës është bërë viral.

Policia zvicerane e ka marrë në pyetje dhe ia ka ndaluar hyrjen në stadium një tifozit.

Federata e Futbollit e Zvicrës (SFV), e cila e lartësoi Shaqirin për mënyrën se si u përgjigj gjatë këtij incidenti, njoftoi të dielën se tifozi në fjalë është marrë në pyetje nga policia dhe atij i është ndaluar hyrja në stadium.

Por SFV-ja nuk ka dhënë hollësi për shkallën e ndalesës dhe identitetin e tifozit në fjalës.

“Fajtori u mor në pyetje nga policia dhe atij i është ndaluar hyrja në stadium”, thuhet në një shkrim të SFV-së në Twitter.

Shtëpia e futbollit zviceran e ka quajtur të papranueshme dhe propagandë politike veprimin e tifozit për t’ia vendosur Xherdan Shaqiri mbi supe një xhaketë me emblemë të UÇK-së .

Shaqiri ishte duke folur për televizionin publik zviceran kur papritmas u shfaq një tifoz dhe ia vuri mbi shpatulla xhaketën e cila kishte simbole të dukshme të UÇK-së. 30-vjeçari qëndroi i qetë dhe duke buzëqeshur e largoi nga supet menjëherë xhaketën.

Shaqiri – i lindur në Gjilan – i ka bërë 97 paraqitje për Zvicrën në të gjitha garat, duke kontribuuar me 26 gola. Ai është golashënuesi më i mirë në historinë e Zvicrës në turne të mëdha (Botëror e Evropian) me 7 gola.

“Është e papranueshme që njerëzit duan t’i keqpërdorin stadiumet e futbollit dhe në këtë rast intervistën e një futbollisti pas ndeshjes për propagandë politike”, thuhet në reagimin e SFV-së.

“Xherdan Shaqiri reagoi në mënyrë shembullore, qëndroi i qetë dhe nuk iu kundërvë”, thuhet tutje në reagim.

Veprimi i tifozit të shtunën shkaktoi shumë polemika në Zvicër dhe i bëri mediat serbe të reagojnë duke kërkuar dënim nga UEFA për federatën zvicerane

Shaqiri u rikthye në Kombëtaren e Zvicrës dhe luajti 90 minuta në fitoren 2:0 ndaj Irlandës Veriore, pasi kishte munguar në tri ndeshjet e shtatorit.


Shtuar 10.10.2021 20:16