PD: Drejtuesit e policisë po ndëshkohen kolektivisht
Pëlqej
Partia Demokratike reagoi sot për emërimet e reja në policinë e shtetit duke i cilësuar ato të paprecedenta pasi likujdojnë profesionistët. Në një konferencë për shtyp, deputeti i PD-së Arben Ristani u shpreh se një ndëshkim i tillë kolektiv në nivelin e lartë drejtues të policisë nuk ka ndodhur as në vitin 1992, as në vitin 1997 dhe as në vitin 2005.

“Ky veprim i paprecedent i likuidimit të profesionistëve që asgjësuan bandat e krimit të organizuar, të lidhura ngushtë me drejtuesit më të lartë të qeverisë sotme është preludi i rikthimit të Policisë shqiptare në një organizatë të nënshtruar ndaj krimit të organizuar dhe bosëve të tij, njësoj si para vitit 2005. Një ndëshkim i tillë kolektiv në nivelin e lartë drejtues të policisë nuk ka ndodhur as në vitin 1992, as në vitin 1997 dhe as në vitin 2005. Dje filloi shfryrja e urrejtjes, mllefit dhe hakmarrja e rilindasve Rama – Tahiri, ndaj atyre drejtuesve profesionistë që në këto vite luftuan dhe çuan para drejtësisë bandat e trafiqeve vdekjeprurëse, trafikut të drogave të rënda dhe në vijim dhanë një kontribut të çmuar në liberalizimin e vizave dhe bënë të mundur vendosjen e partneritetit të plotë të policisë shqiptare me të gjitha organizmat homologe euro-atlantike” theksoi Ristani .
Ai e ka cilësuar emërimin në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, të Artan Didit, një shpërblim i pastër politik për vjedhjen e zgjedhjeve në vitin 2001.
Sipas tij, ky emërim është në kundërshtim të plotë me ligjin “Për Policinë e Shtetit”, pasi Didi nuk përmbush asnjë nga kriteret e përcaktuara në ligjin për Policinë e Shtetit.


“Nuk ka mbaruar Akademinë e Rendit Publik qe është detyrim i pakapërcyeshëm ligjor. Nuk ka shërbyer për një periudhe kohe 3-vjecare ne gradën drejtues i pare pasi është larguar me gradën kryekomisar. Nuk plotëson kriterin e detyrueshëm për 16 vjet pune ne polici ne 20 vjetet e fundit. Emërimi i dy zv. Drejtorëve të Përgjithshëm të Policisë është në kundërshtim me ligjin “Për Policinë e Shtetit”, pasi nuk plotësojnë kriteret e detyrueshme të nenit 24, Ligjit për Policinë e Shtetit, pasi nuk kanë shërbyer tre vjet me gradën drejtues i parë. Gjithashtu, zoti Bizhga është me masën disiplinore “Shtyrje e afatit të gradimit për 1 vit”. Ripranimet dhe emërimet në detyrë të Niko Brahimaj, Neritan Nallbati, Shaban Nexhi, Edmond Targaj, Perlat Cullhaj janë kryer në kundërshtim me ligjin “Për Policinë e Shtetit”, pasi ripranimi i tyre është në kundërshtim me nenin 58 të ligjit “Për Policinë e Shtetit” theksoi Ristani.
Shtuar më 10/10/2013, ora 15:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori