PD: Betoni në aerodrome nuk mbulon përgjegjësinë e dyshes Rama-Meta
Partia Demokratike përshëndeti sot forcat e armatosura për reagimin e tyre, dhe marrjen e masave fizike për pamundësimin e fluturimeve të dyshimta në Gjadër, pas informacioneve dhe dëshmive të shumta se kjo infrastrukturë mund të jetë përdorur nga narkotrafikantët.

Në një deklaratë për mediat, deputeti Keltis Kruja u shpreh se masat e marra do të ndihmojnë në mosdëmtimin e mëtejshëm të imazhit të vendit dhe të forcave tona të armatosura por kjo gje nuk e mbulon përgjegjësinë e Kryeministrit dhe ministrave të tij në këtë aferë të drogës.

"Rritja shumëfish e trafikut të narkotikeve siç është evidentuar edhe nga sasitë e interceptuara nga fqinjët tanë, nuk mund të bëhet pa dijeninë dhe implikimin e qeveritarëve. Ndaj Partia Demokratike kërkon fillimin sa më shpejt nga puna të të komisionit parlamentar hetimor, në mënyrë që të zbardhet mekanizmi dhe të dalin përgjegjësitë për trafikun e drogës. Hetimi dhe dalja e përgjegjësive është në të mirë të interesit publik, është në të mirë të vendit. Ballafaqimi me këtë aferë, mund të prishë rehatinë e Kryeministrit dhe ministrave të tij, por lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve dhe parandalimi i përsëritjes së kësaj dukurie të rrezikshme, janë më të rëndësishme se interesat personale të dyshes Rama-Meta." u shpreh Kruja.

Më herët gjatë ditës, forcat e FA-së vendosen barriera në aerodromin e Gjadrit. /albeu.com/
Shtuar më 03/05/2014, ora 13:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori