PD-AAK nenshkruajne Memorandum Bashkepunimi
Albeu.com
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Shqipërisë në nivel të kryetarëve të partive kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit si parti të qendrës së djathtë të të dy vendeve.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me bashkëpunëtorë u prit të enjten nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Bersiha. Gjatë takimit me kryeministrin Berisha, Haradinaj e njoftoi atë me zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, gjendjen politike, situatën ekonomike dhe interesat e përbashkëta të qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Haradinaj – siç thuhet në një komunikatë të AAK-së – shprehu bindjen e thellë të tij dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës se Shqipëria do të vazhdojë rrugën e saj të zhvillimit të gjithmbarshëm, rritjen ekonomike dhe integrimet evropiane gjatë viteve të mandatit të ri të kryeministrit Berisha.

Duke folur për periudhën e tashme në prag të procesit për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009 në Kosovë, Haradinaj shpjegoi përgatitjet që janë duke u bërë në nivel të përgjithshëm për këtë proces të rëndësishëm të vendit. “Ai po ashtu informoi kryeministrin Berisha me përgatitjet që po bën AAK-ja për të fituar zgjedhjet lokale të këtij viti”, thuhet më tej në komunikatë.

Kryeministri Berisha ndërkaq, siç thuhet më tej, shprehu mirënjohjen e tij për angazhimin e Haradinajt dhe AAK-së në bashkëpunimin brenda spektrit politik kosovar dhe mbarë-shqiptar. “Ai vlerësoi lart rolin dhe kontributin e z. Haradinaj dhe AAK-së në rrugën e Kosovës drejt të pavarësisë dhe integrimeve ndërkombëtare”.

Kjo është vizita e dytë zyrtare e kryetarit të AAK-së në Tiranë, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të Shqipërisë. Gjatë kësaj vizite, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, në nivel të kryetarëve, përkatësisht Ramush Haradinaj dhe Sali Berisha, kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit, në bazë të orientimit të përbashkët programor të përkatësisë në familjen politike të qendrës së djathtë të të dy vendeve. /Telegrafi/
Shtuar më 07/08/2009, ora 02:43
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori