Pazarllek me rastin e Sopotit
Albeu.com
Nëse deri të premten komisioni anketues për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, nuk i sjell përfundimet e raportit për rastin e Sopotit, të hënën do të ketë protesta.
Përfundimet duhet të ishin gati që në fillim të dhjetorit, por çështja ka mbet pezull pasi ato nuk i nënshkruajnë anëtarët e VMRO-DPMNE-së. Kjo e fundit e kushtëzon BDI-në me votimin e disa Ligjeve në parlament. Deputeti Abedin Zymberi, thotë se krejt problemi ka mbetur tek anëtarët e komisionit nga radhët e VMRO-së që nuk duan ti votojnë konkluzionet e raportit. “Deri të premten ata duhet të sjellin një përgjigje ose pozitive ose negative . I thash Tahir Hanit që të bisedoj me koordinatoren e grupit parlamentar të VMRO-së, pasi unë i kam premtuar familjarëve që këtë çështje do ta çoj deri në fund. Nëse nuk ka zgjidhje deri të premten bashkë me familjarët do të organizojmë protesta”, tha Zymberi për Lajm. Sipas tij rasti i Sopotit nuk duhet të hyjë në pazar me Ligjet. “Ky është një rast që ka të bëjë me shkeljen e të drejtave të njeriut dhe janë shkel disa nene Kjo është diçka që duhet patjetër të votohet, mirëpo VMRO-ja e shfrytëzon paaftësinë e BDI-së për pazarllëqe të fëlliqura”, tha Zymberi. Takimi mes Koordinatorit të Grupit parlamentar të BDI-së, Tahir Hani me koordinatoren e grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Silvana Boneva është paraparë që të mbahet pasditen e së hënës. Edhe Hani pohon se deri më tani nuk ka asgjë në lidhje me rastin e Sopotit, por shpreson se gjatë bisedimeve mëe Bonevsken do të gjejnë një zgjidhje të shpejtë. “Pasdite do të kem takim me koordinatoren e VMRO DPMNE-së dhe të shohim a mund të kemi ndonjë zgjidhje të shpejtë para datës 5, por besoj se po”, thotë ai, duke shtuar se deri më tani VMRO nuk ka shpreh qëndrim nëse pajtohet apo jo me përfundimet e raportit. “Natyrisht se edhe ato presin të ndërtojnë qëndrim partiak, ta votojnë apo jo”, thotë Hani. Edhe ai është i mendimit se me Rastin e Sopotit nuk duhet të ketë kushtëzime, pasi në këtë rast kemi të bëjmë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. “Raportet janë të tilla. Ne duhet të bëjmë politikë të kujdesshme që të arrijmë te rezultati pozitiv i rastit të Sopotit”, thekson Hani. Ndërsa familjarët e të burgosurve të Sopotit presin zgjidhje. Zvarritja e procesit i lë ata të dyshojnë në ecurinë e punëve. “Po presim, na kanë thënë se e kanë përgatitur raportit por përfundime nuk ka. Se di çfarë të them. Më datë 5 është seance gjyqësore për vëllanë tim”, thotë Skënder Klaiqi, familjar i të burgosurve, duke shtuar se të gjithë e dinë se ata janë të pafajshëm. “Deputetët shqiptarë akuzojnë njëri tjetrin. Nuk ka parti shqiptare që nuk ka qenë në qeveri dhe se di pse akuzojnë njëra tjetrën kur të gjitha njëjtë veprojnë. Faktikisht ata duhet të ulen bashkë dhe ta zgjidhin jo vetëm rastin tonë, por edhe plot raste të tjera”, thotë i irrituar ai, duke shtuar se nuk duhet të bëhet biznes me popullin “Nuk e di edhe sa nëna duhet me kajt për montime politike që u bëhen shqiptarëve të Maqedonisë në shekullin e 21”, thotë Klaiqi.

Njëmbëdhjetë shqiptarë të fshatit Sopot janë dënuar me 156 vjet burg, pasi akuzohen për vendosjen e një mjeti shpërthyes në afërsi të fshatit në vitin 2003, me ç'rast humbën jetën 2 ushtarë të NATO-s dhe një shtetas i Maqedonisë. (lajm)
Shtuar më 02/02/2010, ora 18:21
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori