Pavaresia e Kosoves shuan nacionalizmin agresiv serb
Albeu.com
Ischinger, bashkë me publicistin Veton Surroi dhe Lordin Paddy Ashdown, të martën, kanë marrë pjesë në debatin për pavarësinë e Kosovës, i cili u zhvillua në Londër, nën organizimin e Royal Geographic Society.Kthimi i Kosovës nën Serbi, pas tetë vjetëve të protektoratit ndërkombëtar, do të ishte vendim jo i moralshëm, ndërsa pavarësia e Kosovës nuk ishte vetëm e dëshiruar, por edhe hap i domosdoshëm për të shuar nacionalizmin agresiv serb, ka deklaruar Wolfgang Ischinger, ish-ndërmjetës në bisedimet për statusin e Kosovës.

Ischinger, bashkë me publicistin Veton Surroi dhe Lordin Paddy Ashdown, të martën, kanë marrë pjesë në debatin për pavarësinë e Kosovës, i cili u zhvillua në Londër, nën organizimin e Royal Geographic Society.

Treshja Surroi-Ashdown-Ischinger ka paraqitur mocionin mbrojtës për pavarësinë e Kosovës, duke iu kundërvënë treshes së përbërë nga Misha Gleny (autor i librit “The Fall of Yougoslavia”), Sir Ivor Roberts (ish-ambasador britanik në Jugosllavi) dhe Dragan Zupanjevac (i ngarkuari me punë në ambasadën serbe në Londër).

Gazetari Misha Glenny ndërkaq, ka vlerësuar se shtetet që tashmë e kanë njohur Kosovën, nuk do ta kthejnë prapa vendimin e tyre – mirëpo ai ka shtuar se, “pavarësia e Kosovës krijon më shumë probleme sesa që i zgjidh ato”.

Ai ka vlerësuar se Kosova nuk ka kapacitete për t’u vetëqeverisur, ndërsa ka shtuar se me njohjen e Kosovës, i është mundësuar Rusisë të njohë pavarësinë e Osetisë Jugore dhe Abkhazisë.

Paddy Ashdown ndërkaq, rastin e Kosovës e ka krahasuar me atë të Irlandës Veriore, ndërsa ka thënë se me humbjen e Kosovës, Serbia është dashur të paguante keqqeverisjen në Kosovë, respektivisht vrasjet që i kishin bërë skuadrat vrastare të Millosheviqit.

Ai po ashtu ka hedhur poshtë krahasimet në mes të Kosovës dhe rajoneve separatiste të Gjeorgjisë, sepse sipas tij, ato asnjëherë nuk kanë qenë nën protektorat të OKB-së.

Dhe përderisa panelisti tjetër, kundërshtar i pavarësisë së Kosovës, Dragan Zupenjevac, ka tentuar të argumentonte “joligjshmërinë” e pavarësisë së Kosovës nëpërmjet akteve ligjore ndërkombëtare për mosndryshimin e kufijve, publicisti Veton Surroi ka thënë se Kutia e Pandorës nuk është hapur me pavarësimin e Kosovës, por me shpërbërjen e Jugosllavisë, dhe ka shtuar se, "me Kosovën dhe Serbinë, tashmë si partnere, sfida e tyre e përbashkët në të ardhmen është integrimi në BE".

Në një votim online që ishte zhvilluar para debatit, 275 vetë kanë qenë të pavendosur rreth mocionit - “kemi gabuar me njohjen e pavarësisë së Kosovës” - 171 kanë votuar pro dhe 184 kundër. Ndërkaq, pas debatit rezultati ishte: 22 të pavendosur, 311 pro dhe 364 kundër këtij mocioni. Pra, në fund kanë fituar mbështetësit e pavarësisë së Kosovës. (Telegrafi)
Shtuar më 29/10/2008, ora 22:56
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori