Patozi: Vleresojmë tryezen, dialog me PS
Albeu.com
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi deklaroi sot se thirrja e tryezës së partive nga kreu i shtetit është një veprim serioz. "Në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, dëshiroj të shpreh ...... vlerësimin pozitiv për thirrjen nga Presidenti i Republikës të tryezës së dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës", u shpreh Patozi. Nënkryetari i Partisë Demokratike pohoi se mazhoranca do të respektojë pikë më pikë rezolutën e Këshillit të Evropës. "Si një ndër protagonistet e kësaj tryezë, Partia Demokratike është e vendosur që të japë të gjithë kontributin e saj, në përputhje me rregullat e shtetit ligjor, rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës si dhe raportin e OSBE-ODIHR-t për zgjedhjet e fundit në Shqipëri", theksoi ai. Patozi theksoi se PD do ketë dialog me Partinë Socialiste si dhe me çdo faktor tjetër politik. "Kjo mazhorancë ka patur, ka dhe do të vazhdojë të ketë dialog me Partinë Socialiste dhe me çdo faktor tjetër politik të vendit. Dhe në dritën e qartë të këtij përcaktimi ne e shikojmë edhe tryezën e ftuar nga Presidenti i Republikës", përfundoi ai.

Ditën e djeshme, Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se Presidenti Topi vendosi të thërrasë tryezën politike, ditën e shtunë më 13 shkurt , në orën 11.00. Po ashtu presidenti ka marrë konfirmimin e Kryetarit te Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe Kryetarit te Partisë Socialiste, Edi Rama. Takimi do të mbahet në Presidencë.
Shtuar më 09/02/2010, ora 21:20
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori