Patozi sulmon ashpër Ramën: Kjo është të kërkosh falje pasi ke vrarë
Astrit Patozi ka reaguar edhe një herë ashpër ndaj Lulzim Bashës i cili fitoi me një rezultat të thellë ndaj kundërshtarit të tij Eduard Selamit, zgjehdjet për kryetar të PD-së.

Me anë të një mesazhi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut Patozi pohon se uroi mëngjesin e sotëm Selamin për garën, ndërsa theksoi se ai nuk duhet të ketë asnjë peng. Patozi mes të tjerash ka publikuar mesazhin që i ka dërguar Selamit, ku u shkruante se ky i fundit kishte shkuar afër fitores.

Deputeti aktual i PD-së nuk kursen ironinë në drejtim të Bashës, dujke shtuar se rëndësi në këtë garë farse ishte pjesëmarrja, pasi ‘armiku’ (Patozi) ishte lënë jashtë.

MESAZHI

FALI ZOT, SE NUK DINË ÇFARË BËJNË!

Sot në mëngjes urova Eduard Selamin. Po e ndaj me ju tekstin e mesazhit, që i dërgova. “Urime Eduard! Nuk duhet të kesh asnjë peng. Megjithëse nuk fitove, i shkove shumë afër fitores.”
Lulzimin nuk ishte e nevojshme, sepse e kisha uruar mbrëmë.

Shumë miq më kanë marrë në telefon, të shqetësuar, por më shumë të habitur, për fundin e farsës së zgjedhjes së kryetarit të Partisë Demokratike. Sepse absurdi ka kapërcyer çdo kufi.

Por brenda pezmatimit të tyre ka edhe një dozë humori, që shoqëron gjithmonë fenomenet komike, të cilat bien më shumë në sy në politikë, për shkak të vëmendjes së lartë të publikut.

Pjesa më e madhe e atyre që kam komunikuar nuk e kuptonin dot se përse duhej bërë kaq trashë dhe pa u kujdesur fare që të ngjante pak e besueshme kjo maskarada e zgjedhjeve tona.

Në fakt, ajo e ka një shpjegim. Në korrik 2013 ata “armikun” e kishin brenda garës dhe nuk kishte rëndësi numri i votuesve, por vetëm raporti mes rivalëve. Dhe bënë gjithçka në këtë tokë që rezultati të dilte 8 me 2.

Dje nuk e kishin më këtë hall, pasi “armikun” e kishin jashtë garës, ndaj e rëndësishme ishte vetëm pjesëmarrja. Që refuzimi i demokratëve për farsën të mos lexohej. Dhe atë bënë, siç e parashikova pikë për pikë dje.

Pa e vrarë fare mendjen që sapo kemi dalë nga një humbje dërrmuese, por që me sa duket i paska “dehur” demokratët dhe i ka shtyrë ata që ta duan më shumë udhëheqësin e tyre.

Në raste te tilla, njeriu e ka të vështirë për të gjetur fjalët. Ndaj e vetmja gjë që më vjen ndërmend është shprehja e Jezu Krishtit: “Fali o Zot, se nuk dinë çfarë bëjnë!”

Uroj shumë që të mos shkrepin fishekzjarre sot në oborrin e selisë për të festuar fitoren.

Dhe mos u çudisni kur autori i humbjes së thellë me Edi Ramën, por edhe i fitores akoma më të thellë me Eduard Selamin, të dalë shumë shpejt, ndoshta sot, e t’u bëjë thirrje për bashkim, pikërisht atyre, që i përzuri apo i bëri të mos votonin fare më 25 qershor.

Do të ishte njësoj si t’i kërkosh falje dikujt, pasi e ke vrarë. /albeu.com/
Shtuar më 23/07/2017, ora 10:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori