Patozi: S'ka forcë që i ndalon zgjedhjet në 30 qershor
Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi thotë se tashmë Shqipëria ka nevojë për një politikë të re, larg të vjetrës që sipas tij është në një betejë për jetë a vdekje.

Nga Korça, ku prezantoi kandidatin e kësaj force politike për kryebashkiak të Korçës, Leonard Olli, Patozi tha se 30 qershori do të jetë ditë zgjedhjesh dhe se kjo është një e drejtë e pamohueshme e qytetarëve shqiptarë për të ndryshuar qeverisjen vendore.

"Duan apo nuk duan 30 qershori është datë e vendosur, qytetarët janë të detyruar të votojnë për të ndryshuar qeverisjen vendore. Nuk ka asnjë forcë në këtë tokë, por ndoshta edhe jashtë kësaj toke që mund të ndalojë vullnetin e shqiptarëve për të ndryshuar qeverisjen vendore. Leonard Olli është kandidatura e duhur për Korçën. Një djalë qytetar i Korçës. Korça do reflektojë, do reagojë sepse nuk ka arsye të eksperimentojë prapë modelin e shëmtuar që kemi përballë. Korça nuk ka nevojë për dikë që thonë është djalë i mirë, por bën sic i thonë të tjerët. Korça ka nevojë për një personalitet publik që do bëjë ndryshimin e madh në këtë qytet. Një model të ri politik. Bindja Demokratike është forca e re e perspektivës politike, sepse ka lindur në kulmin e një tensioni politik. Shqiptarët kanë parë se ku e kanë çuar vendin forcat e vjetra politike që sot janë në një ndeshje për jetë a vdekje duke treguar që janë ata shkaktarët e krizës së thellë që po përjeton vendi", tha Patozi.

Duke komentuar protestën e nëntë kombëtarë që opozita joparlamentare mbajti mbrëmjen e së premtes kundër qeverisë, të parën protestë tërësisht paqësore në këto katër muaj, tha se opozita është në një marrëzi politike dhe se i vetmi instrument për ndryshim të situatës, janë zgjedhjet, dhe jo dhuna.

"Ajo protestë ishte epilogu i një marrëzie politike. Ne kemi qenë kundër djegies së mandateve, kundër daljes në rrugë, kundër revolucionit dhe goditjes së pushtetit me dhunë. Zgjedhjet i vetmi instrument që mund t'i ndryshojë gjërat në Shqipëri, sepse jemi forcë politike e djathtë dhe perëndimore", u shpreh kreu i BD-së.

Edhe dekretin e Presidentit Ilir Meta për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, e quajti me të njëjtin termë si opozitën

"Një marrëzi politike që do të marrë përgjigjen e duhur më 30 qershor", theksoi Patozi.
Shtuar më 22/06/2019, ora 13:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori