Patozi: Qeveria ka vdekur; Rama: Ju ka mbetur ora kur ju hodhën nga karriget
Gjatë seancës së sotme, deputeti demokrat Astrit Patozi ka hedhur kritika të ashpra ndaj maazhorancës në këto dy vite qeverisje. “Kjo qeveri ka rënë, sepse nuk mund të jetë edhe qeveria edhe mafia, edhe qeveria edhe korrupsioni. Kjo qeveri ka rënë sepse e ktheu Shqipërinë në një vend qesharak”, ka thënë Patozi.

Këtu ai i është referuar paralajmërimit të Spartak Brahos, për një komplot në dëm të kreut të Kuvendit, që do të çonte sipas tij, në destabilizim të vendit. “Pak kohë më parë, kreu i komisionit të sigurisë paralajmëroi destabilizim të vendit. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, në djall të shkonte stabiliteti, nëse vendi ishte në dorë të Tom Doshit dhe Dritan Priftit”, ka thënë Patozi.

"Kjo qeveri, ka vijuar ai, ka rënë dhe çdo ditë e bën më të rëndë situatën për shkak se dhunon financat e shtetit". “Ne nuk mund ta lëmë vendin në duart e sekserëve të Edi Ramës dhe Ilir Metës”, ka theksuar Patozi. Nga ana tjetër, ka nënvizuar ai, PD duhet t’u bëjë të qartë qytetarëve se nuk do të qeverisë asnjë ditë si këta dhe se nuk do përsërisë të njëjtat gabime kur ishte në pushtet.

“Kjo është një qeveri e vdekur dhe dihet që kufomat i varros në themel”, ka shtuar Patozi. Duke reaguar ndaj akuzave, kryeministri Rama e ka cilësuar si “ireal” qëndrimin e opozitës, duke cituar këtu raportet e “Standard & Poor’s” dhe Bankës Botërore.

"Dua ta falenderoj parafolësin për nxitjen që më dha me fjalimin e tij, duke folur për meritat e mëdha...tek CEZ-i kemi një pasqyrë të qartë për dallimin mes nesh dhe jush.

Më lejoni t’ju sjell në vëmendje se Standard and Poors jo vetëm ka afirmuar pozicionin e rritjes së ekonomisë duke konsoliduar atë arritje që i takon kësaj qeverie lidhur me këtë pozicion, por edhe ka paralajmëruar në raportin e vete më të fundit se nëse, citoj – pasqyra pozitive e sotme e Shqipërisë do të plotësohet me vazhdimësinë në raport me angazhimet e marra, atëherë janë krijuar kushtet që S&P ta rrisë retingun e Shqipërisë në 6 muajt e ardhshëm. Më lejoni të veçoj çfarë kjo kompani botërisht e mirënjohur thekson në kundërshtim me të gjitha ato që thoni ju. Qeveria është duke forcuar institucionet fiskale dhe financimin dhe menaxhimin e sektorit publik.

Reformat që kanë adresuar sistemi i pensioneve, qeverisja vendore, administrimi fiskal dhe sektorin e energjisë kanë sjellë rezultate të qenësishme ku veçohen përpjekjet posaçërisht në sektorin e energjisë si veçanërisht të suksesshme.

Banka Botërore për Shqipërinë thotë në raport: Ekonomia shqiptare vazhdoi të rritet në vitin 2015, e mbështetur nga investimet private dhe eksportet neto. Një rritje që vjen si rezultat i politikave tona, nga ai model ekonomik i shteruar si ai juaji. Investimet e huaja direkte u rritën, dhe flukset hyrëse gjithashtu duke kontribuar pozitivisht në financimin e deficitit koherent. Përpiquni mos ta përfshini edhe BB në konspiracionin e madh kur në qendër keni dy partitë e këtij koalicioni, bandat siç i quani ju. Rritja ekonomike parashikohet 2.7 në 2015. E latë Shqipërinë me zero pikë presje asgjë, jemi sot me një trend rritje ekonomike të qëndrueshme edhe pse nuk na bën të lumtur apo aq të kuturisur saç ishit ju për ti thënë shqiptarëve se ja ku e keni mrekullinë.

Ju jap një mundësi për të zbritur në tokë dhe për të mos kërkuar qiqra në hellin e propagandës suaj. Ritmi i rritjes së ekonomisë është ndër më të lartit, thotë BB në raportin e saj, duke lënë mbrapa Maqedonine, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën.

Papunësia në Shqipëri është më e ulëta në rajon. Do të ishte anormale sikur ju të mos qeshnit dhe të qeshurat tuaja janë shprehje e atij normaliteti që prej dy vjetësh ju mban ju jashtë realitetit. Ju vazhdoni qeshni njësoj si ata që i jepnin barë traktorit kur e panë për herë të parë, se në atë gjendje mentale jeni. Nëse do të investoheshin të bënim sot opozitën, do dinim ta benim shumë më mirë se ju. Ju jeni një parti që nuk keni as lidership, as ekip, as program dhe ju ka mbetur ora aty ku ndaloi kur shqiptarët ju hodhën nga karriget.

Në det apo në kënetë, këtë gjejeni vetë se ku jeni, mbi ujë nuk jeni, nën ujë jeni. A kënete, a det, këtë e provoni ju". /albeu.com/
Shtuar më 22/10/2015, ora 13:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori