Patozi –ndërkombëtarëve: Qeveria ju urren fort, opozita ju ka inat për vdekje
Pëlqej
Ish-deputeti i PD-së Astrit Patozi ka ironizuar situatën politike në vend dhe çështjen e shumë përfolur ‘Dosja Habilaj’ me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Në postimin e tij, Patozi falënderon ndërkombëtarët që po kapin kriminelët dhe që herë pas here na shkundni fort.

Postimi i plotë:

LETËR IMAGJINARE PARTNERËVE

(Frymëzuar nga zhvillimet e fundit politike në Shqipëri)
Ju faleminderit shumë që na i ruani, na i ndiqni dhe pastaj na i kapni kriminelët tanë! Po të ishte për ne do të bëhej droga dhe krimi kapicë, e nuk do të vinte njeri dorë, herë nga halli e herë nga malli, por kjo pak rëndësi ka.

Ju faleminderit, gjithashtu, që na shkundni fort të gjithëve, atëherë kur malavita kërcënon të prishë çdo ekuilibër social dhe politik në këtë vend. Është çudi e madhe vërtetë se si këmbanat, që në fakt bien për ne, i dëgjoni gjithmonë ju të parët.

Ju faleminderit edhe që na nxirrni frikën, duke përmendur emra të banditëve tanë, që kanë nisur t’i trembin fëmijët edhe në bark të nënës. Po të ishte për ne, do të vinte shumë shpejt një ditë që t’i zgjidhnim ministra e lart, se deri tek deputetë dhe kryetarë bashkie i çuam.

Mos na e merrni për ters aq shumë, kur dikush prej nesh t’ju bëjë përgjegjës se përse nuk i arrestoni të gjithë trafikantët shqiptarë, por vetëm disa prej tyre. Merreni me sportivitet edhe nëse ju kërkojnë llogari se përse lirohen me procedurë apo nuk dënohen kurrë serial killera dhe bosë të mafias vendase nga drejtësia shqiptare.

Por mbi të gjitha kafshoni gjuhën, kur të shikoni se si tundin flamurin e luftës kundër krimit të organizuar personazhe të skeduar në raportet dhe interceptimet tuaja për implikime të shumëfishta në trafiqe dhe korrupsion.

E, natyrisht, bën sikur nuk e dëgjoni kur dikush prej tyre t’ju quajë pa iu dridhur syri fare “guvernatorë”.

Sepse ju nuk duhet të ngatërroni kurrë të drejtat me detyrat tuaja, siç ka ndodhur deri më sot. Ju keni për detyrë të na mbroni dhe ruani nga të këqijat, por nuk keni të drejtë të na përziheni në punët tona kur vjen puna për të mirat.

Ndaj mos u çudisni kurrë që qeveria t’ju urrejë fort pse po i zëvendësoni opozitën, kurse opozita t’ju marrë inat për vdekje se përse nuk po ia rrëzoni asaj qeverinë. Sepse keni mbetur të vetmit që mbani përgjegjësi për këtë vend. /albeu.com/
Shtuar më 18/10/2017, ora 18:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori