Patozi hedh "bombën": Letrën e Prengës e shkroi Rama
Deputeti demokrat Astrit Patozi ka një version të tijin mbi kërkesën e socialistit Armando Prenga për të hequr dorë nga mandati.

Sipas Patozit, kërkesa e tij u bë vetëm pak orë pasi KQZ do të rishqyrtonte pretendimin e Prokurorisë së Prenga kishte shkelur ligjin për dekriminalizimin duke kërkuar heqjen e mandatit të tij.

Gjithashtu, Patozi thekson se letra "prekëse" nuk ishte shkruar prej Prengës, por ishte konceptuar nga Rama kurse radhët i kishte shkruar dikush tjetër në vend të tij.

"Me një letër prekëse, për të cilën nuk ka as edhe një shqiptar të vetëm, që nuk e di se nuk e ka shkruar vetë. Sepse Armando Prenga nuk ka asnjë lidhje me tekstin dhe fjalën, me gjuhën dhe kulturën. Ai ishte deputet në parlament deri dje për një zanat tjetër, të cilin e kishte ushtruar me mjeshtëri edhe mu në mes të qytetit.

Nuk ngutem të them me siguri që letrën e Prengës u ul dhe e shkroi me dorën e vet Edi Rama, por jam shumë i sigurt që ajo u hartua besnikërisht me porosi të tij.

Por, sipas meje, është shumë e rëndë përmbajtja e letrës dhe mesazhi i saj, se të gjitha ato që mund të ketë bërë në jetë Armando Prenga.

Ai na tha sot me dorën dhe gojën e dikujt tjetër që po ikën nga parlamenti, sepse u mërzit prej tij, dhe jo se nuk është më i denjë për atë sallë.

Se atë e kishin shqetëuar kot me akuza në parlament, por jo se ai i kishte hyrë ndonjëherë në hak parlamentit. Një Zot e di pse nuk kanë shkruar që duhet t’i kërkojmë edhe falje atij, që po ikën nga deputet vetëm për hir të qetësisë së familjes"., - shkruan Patozi.

"Sepse, mesa duket, në koordinim të plotë me KQZ-në, Edi Rama ka dashur ta kursejë atë nga vendimi i pashmangshëm i skadimit te mandatit për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Është njësoj sikur dikë, që është kapur duke vrarë, jo vetëm ta ndihmosh që t’u ikë nga duart policëve, por edhe t’i japësh një pistoletë, që të qëllojë sërish". /Albeu.com/

Shtuar më 27/02/2017, ora 17:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori