Patozi-Bashës: Çfarë fituam nga 6 muaj bojkot?
Astrit Patozi
Pak para futjes në Kuvend, për herë të parë pas gati një gjashtë muajsh, deputetët kritikë të Lulzim Bashës, Astrit Patozi, Genc Ruli dhe Jozefina Topalli u ulën në kafenenë e SHQUP-it bashkë me deputetët e tjerë të PD-së: Arben Ristanin, Eduard Halimin, Oerd Bylykbashin, të cilët nga zgjedhjet e fundit të PD-së kanë kapur pozicionet më të rëndësishme në hierarkinë e partisë.

Më pas Lulzim Basha thirri në një takim deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për të ezauruar vendimin që duhet të merrnin deputetët e djathtë.

Sipas Shekullit, mësohet se në fjalën e tij kreu demokrat Basha, u ka raportuar deputetëve demokratë për marrëveshjen e nënshkruar me mazhorancën dhe vendimin për t’i dhënë fund bojkotit. Pas fjalës së Bashës kanë reaguar disa nga rivalët e tij, të cilët e kanë cilësuar bojkotin të pavlerë dhe aspak produktiv. I pari është hedhur Astrit Patozi i cili e ka cilësuar bojkotin kohë të harxhuar kot. “A mund të na thoni se çfarë fitoi opozita nga bojkoti gjashtëmujor z Basha, dhe nga ajo që shohim sot pas 6 muajsh bojkot, kujt i ka shërbyer bojkoti përveç se Ramës?”.

Qëndrimit me tone të ashpra të Patozit i është përgjigjur Basha, duke u munduar t’i shpjegojë se nga kjo marrëveshje e negociuar nga Parlamenti Evropian roli i opozitës do të jetë përcaktues për jetën parlamentare që do të zhvillohet në kuvend. Ndërkohë dhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka është munduar të sqarojë arsyet që nxitën bojkotin dhe prishjen e tij.

“Nëse dikush e sheh këtë marrëveshje si një akt sa për të kaluar radhën, gabon. Interesin tonë si opozitë e shohim të lidhur ngushtë me interesin e qytetarëve”, tha Paloka. Në fund të mbledhjes deputetët ranë dakord që të mos ketë asnjë diskutim në sallë, përveç fjalës së kreut të grupit të PD Edi Paloka.
Shtuar më 25/12/2014, ora 19:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori