Pasuria e 35 agjentëve të BKH-së, si do paguhen
Ka përfunduar procesi i deklarimit të formularëve të pasurisë për 35 kandidatët e kualifikuar si agjentë të BKH-së.

Deklaratat i janë dorëzuar nga kandidatët me e-mail komisionit të Byrosë Kombëtarë të Hetimit. Anëtarët e komisionit do të verifikojnë pasuritë e tyre dhe të familjarëve të tyre. Burime pranë komisionit bëjnë me dije se disa prej kandidatëve nuk i kanë plotësuar sipas ligjit deklaratat e pasurisë.

Pas përfundimit të këtij procesi të kualifikuarit do ti nënshtrohen testit të poligrafit, që do bëhet nga anëtarë të SHÇBA, kreu i SPAK-ut dhe anëtarët e komisionit. Ndërkohë, për vakancat për plotësimin e 60 hetuesve të BKH-së, gara pritet që të rihapet sërish në fillim të vitit 2021.

Në nenin 6 të ligjit për Reformën në Drejtësi specifikohet ky seksion i specializuar i policisë gjyqësore nën varësinë e Prokurorisë së Posaçme. Në mënyrë që të ruhet një marrëdhënie operacionale dhe informuese me shërbime të tjera policore, sidomos për operacione që kërkojnë shumë punë, si kontrolle të befasishme, vëzhgime apo arrestime, ka edhe shërbime të policisë gjyqësore. Këto shërbime të policisë gjyqësore varen edhe nga Prokuroria e Posaçme.

Ndërsa në nenin 44 sqarohen pagesat që do marrin agjentët e strukturës që njihet ndryshe si “FBI”-ja shqiptare. Ky nen normon pagat, shtesat e pagave dhe buxhetin e BKH-së. Pagat dhe shtesat e pagave përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, por nuk mund të ulen. Kjo ka për qëllim që të ndalojë qeverinë, e cila mund të jetë subjekt i një hetimi, të ulë pagat si hakmarrje apo kërcënim. Buxheti hartohet nga Drejtori dhe i dorëzohet Ministrit të Financave si buxhet i përbashkët nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme. Nëse Këshilli i Ministrave krijon një fond të posaçëm për BKH-në, mundësisht nga asetet e konfiskuara, deri në 20% e këtij fondi të posaçëm mund të përdoret për pajisje për BKH-në.

Dispozita për fondin e posaçëm u propozua fillimisht në versionin e parë të projekt-ligjit i cili do ta kishte krijuar BKH-në nga Ministria e Brendshme./TCh
Shtuar më 30/11/2020, ora 13:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori