Paskal Milo shpërthen “bombën”: Rama po asgjeson të majtën
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo e konsideron të frikshme fitoren e PS-së në zgjedhjet e 25 qershorit.

Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ish-bashkëpunëtori i Ramës, thotë se me fitoren e thellë të PS-së dhe me një kryeministër i gjithëpushtetshëm ekziston rreziku i vendosjes së një pushteti personal të tij.

Rama, projekt për të eliminuar pluralizmin demokratik në Shqipëri

Mendoni se me vendimin e tij, jo vetëm për të hyrë në koalicion por edhe për të goditur aleatët e tij të deridjeshëm, Rama ka përçarë të majtën?

Ramën duhet ta marrim dhe ta gjykojmë kështu siç është, siç ka qenë dhe siç do të jetë. Kryetari i PS-së është për nga natyra dhe formimi egocentrik dhe ai gjithmonë ka synuar që të gjithë të majtën ta bashkojë rreth vetes së tij, duke qenë i vetmi, i pari dhe pa partnerë politikë.

Pra, ai e ka dashur dhe e do të majtën, një të majtë që ka evoluar në konceptim e tij, nga e kuqe në rozë dhe nga rozë në mavi, dhe që nuk ka dashur ta ndajë lidershipin e saj me asnjë tjetër. Kjo ka qenë dilema e tij prej vitesh dhe përpjekja e parë për të zbatuar këtë strategji u bë në prill të vitit 2008 kur ai në bashkëpunim me Berishën bënë një ndryshim të bëftë të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor brenda një nate.

Ishte vetëm fillimi i një strategjie tepër të qartë për të eliminuar të gjitha segmentet e tjera të së majtës shqiptare dhe për t’i bashkuar ato jo si formacion politik, por si votues rreth vetes së tij dhe Rilindjes.

Me këtë agresivitet elektoral që bëri, ai e çoi më tej projektin e vetë për asgjësimin e së majtës, të cilën me sa gjykoj unë ai e quan një koncept të vjetër, një arkaizëm të pluralizmit shqiptar dhe do të përpiqet me ndryshimet e ardhshme Kushtetuese dhe Kodin e ardhshëm Zgjedhor, që ta çojë deri në fund projektin e vetë, pra eliminimin e pluralizimit demokratik në Shqipëri dhe veçanërisht eliminimin e segmenteve të tjera brenda së majtës për ta shkrirë, siç e ka artikuluar shumë qartë gjatë fushatës dhe pas saj, që ai të bëhet lideri i qytetarëve shqiptarë.

Rama dhe Basha kanë parashikuar që ndryshimin e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor ta bëjnë në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Pra, nëse ju mendoni se Rama do të eliminojë pluralizmin, në këtë projekt e ndihmon dhe Basha?

Lulzim Basha për mua ka për të dalë gjithmonë i humbur nëse do të vazhdojë të bëjë politik siç bëri nga çadra dhe pas çadrës, e thënë shqip Edi Rama e futi në thes Lulzim Bashën dhe kjo është meritë e tij.

Tani, sa do të arrijë Basha të dalë nga thesi i Ramës kjo do të shihet në radhë të parë pas garës më 22 korrik. Besoj se do të ketë një ringritje e vështirë e PD-së por në rrugë e sipër, në momente kur qeverisja do të ketë traumat e saj atëherë mundet që edhe PD-ja të rigjallërohet për shkak të alternativave që mund të paraqes.

Por unë shoh një politikë tejet të ashpër në parlamentin e ardhshëm shqiptar që do të ketë një opozitë në fillim të diversifikuar, jo të unifikuar, jo kaq të motivuar, të organizuar dhe besoj se në 2019-ën do të kemi një betejë elektorale shumë të fuqishme. /albeu.com/

Shtuar më 05/07/2017, ora 11:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori