Pasi u dhunua dhe arrestua nga Policia, Sait Dollapi lihet i lirë
Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike, Sait Dollapi është liruar nga policia, pas shoqërimit dje tek Parlamenti gjatë zhvillimit të protestës së dhunshme të opozitës.

Mbrëmë pas mesnate spitalii traumës ishte i rrethuar me forca policie, pasi Sait Dollapi u shoqërua fillimisht tek Drejtoria e Policisë së Tiranës, por më pas për shkak të lëndimeve që mori gjatë protestës, ai u transportua në spital nga ku mësohet se është larguar mëngjesin e sotëm.

Dje opozita jo parlamentare për më shumë se 7 orë protestoi kundër qeverisë, në një tubim të zhvendosur nga kryeministria, tek Parlamenti dhe më tej tek Drejtoria e Policisë së Tiranës dhe u përmbyll pas mesnate, në 01:30.

Të treja këto institucione, së bashku me kryesinë e Kuvendit, u sulmuan me bomba molotov nga ana e protestuesve, ndërsa u dëmtuan efektivë policie që ndodheshin në rreshtat e parë të sigurisë.

Në një mbledhje urgjente në selinë blu pas mesnate, Basha doli me një vendim publik duke thënë se do të ketë protestë sot në 11:00 tek Drejtoria e Policisë së Tiranës, për shoqërimin e Sait Dollapit dhe protestuesve të tjerë të shoqëruar, ndërkohë që të hënën në 18:30 u vendos të mbahet protesta e pestë kombëtare kundër qeverisë, për herë të parë në këtë hapësirë të afërt me njëra-tjetrën, kur më herët janë dashur muaj për zhvillimin e një proteste kombëtare.

Shtuar më 12/05/2019, ora 09:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori