Pashkët, Topi: Më shumë kujdes ndaj personave në nevojë
Presidenti Bamir Topi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi të dielën një vizitë në Selinë e Mitropolisë së Shenjtë në Korçë, me rastin e Festës së Pashkëve. Kryetari i Shtetit shprehu urimet më të ngrohta e të përzemërta për të gjithë besimtarët shqiptarë duke theksuar se nëpërmjet festimit të Pashkës, ngjarjes më solemne dhe më të nderuar të Kishës, jepen mesazhe të rëndësishme të vlerave të patjetërsueshme të jetës njerëzore.

“Besoj që është dita e ringjalljes, dhe mbi të gjitha mbi këtë term kaq të gjerë, ringjallje, unë do të uroja që të ringjallim kudo shpresën për një ditë më të mirë! Tek çdo njeri, tek çdo shoqëri ka nevojë që të ketë më shumë optimizëm për ditën që vjen. Dhe besoj që ky mesazh që vjen nga kjo filozofi e krishterë është shumë domethënës, sidomos për ata që kanë fatet e tjerëve në dorë, për ata që merren me politikën, me institucionet dhe kjo ditë është për të reflektuar së pari për njerëzit që janë më në hall, më në nevojë. Dhe ky apel është për institucionet, për politikën, por është edhe për njerëzit që janë në gjendje të mirë që ta kthejnë vështrimin tek ata që janë më dobët. Edhe njëherë ju uroj këtë ditë të bekuar! Paçim gjithmonë ditë të mira sikurse kjo që po përjetojmë sot!”- u shpreh nga Korça Presidenti Topi.
Shtuar më 15/04/2012, ora 12:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori