Pas vdekjes së tezës, mbesa 20-vjeçare përlot publikun me kërkesën e saj

Ada ka ftuar bashkëshortin e tezes së saj, e cila ka ndërruar jetë, në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”, sepse dëshiron ta ftojë të shpërngulet së bashku me dy vajzat e tij pranë tyre në Fushë-Krujë, pasi kushtet e tyre jetësore në fshatin ku jetojnë janë shumë të vështira.

Por Ada ka ftuar edhe të ëmën e saj, Vajdien, për t’i kërkuar që ta çojë amanetin e tezes së saj deri në fund dhe të përkujdeset për vajzat e saj, Sarën dhe Zamirën.

Ada është 20 vjeç dhe vjen nga qyteti i Fushë-Krujës. Ajo tregon se para një muaji tezja e saj 50-vjeçare ka ndërruar jetë, e cila la pas dy vajza, Sarën 16-vjeçare dhe Zamirën 12-vjeçare.

Familja e tezes jeton në një fshat të Krujës, Verjon, me kushte shumë të vështira ekonomike dhe në mungesë të ujit dhe dritave. Ada rrëfen se tezja e saj ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital, ku e shoqëronte motra e saj, e ëma e Adës, ndaj i ka lënë asaj amanet vajzat.

Familja e Adës i ka ofruar bashkëshortit të tezes, Fadilit, të shpërngulet pranë tyre në Fushë- Krujë, por ai nuk ka pranuar, pasi nuk ka si t’i mbulojë shpenzimet si shtëpinë me qera, ushqimin dhe çdo gjë tjetër që do t’ju nevojitet. Të gjithë i kanë ofruar përkrahjen e tyre, por ai zgjedh të qëndrojë në fshat, ku nuk kanë asgjë, shkruan Tv Klan.

Dialogu

Ada – Xhaxhi, unë i di shumë mirë vuajtjet e tua, i përjetoj ashtu siç i përjetojnë vajzat e tua. Ti e di shumë mirë që unë të kam bërë një kërkesë, para se tezja ime të ndërronte jetë dhe në fakt përgjigjia jote ka qenë gjithmonë “Jo”.

Unë të kam thënë që merri dy vajzat dhe hajde jeto në Fushë-Krujë. Të kemi thënë që shpenzimet dhe qiranë do e paguajmë ne, ti nuk do mundohesh për këto.

Fadili – Njeriu është mësuar gjithmonë në vend të vetë, ku ka lindur kokën.

Arditi – Pse nuk provoni të shkoni në Fushë-Krujë, të paktën 1 vit? Të mos harrojmë që bashkëshortja jote i ka lënë amanet mamit të Adës të kujdeset për vajzat, kështu që ajo do të ishte nënë e dytë për to dhe ti do të kishe mundësi të tjera.

Fadili – Babi për fëmijët lë jetën. Po e provoj dhe unë një vit në Fushë–Krujë. I thonë një fjale të vjetër “le të bëhet deti kos”, do shkoj. Kam patur hallin të mos më iki toka dhe lopa, por po i hedh në kanal. /albeu.com/

Shtuar më 04/06/2017, ora 15:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori