E FUNDIT/ Sherr mes uniformave blu, shkarkohen 2 shefa të policisë rrugore
Pas pesë vitesh pezull përfundon projekti i urës së re në Rrugën “Irfan Tomimi”
Pas pesë vitesh e mbetur pezull, ka marrë zgjidhje projekti që ndihmon në qarkullimin e automjeteve në urën te Rruga “Irfan Tomini”, që ndodhet midis Njësisë Administrative Nr.5, dhe Nr. 7, dhe që lidh Bulevardin “Barjam Curri” me Bulevardin “Gjergj Fishta”.

Bashkia e Tiranës ka përfunduar ndërtimin e urës së re, e cila është tre herë më e madhe se ajo e mëparshmja, duke lehtësuar trafikun e mjeteve dhe të këmbësorëve në të dyja anët e lumit të Lanës.

I pranishëm në përurimin e kësaj ure ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili shoqërohej edhe nga deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se kjo urë ishte një tjetër projekt i lënë pezull prej 5 vitesh, por që vetëm tani mori zgjidhje duke i ardhur në ndihmë komunitetit.

“Siç e dini, ky ka qenë një projekt pezull prej 5 vitesh, ashtu si rruga e “Kosovarëve”, e shumë projekte të tjera të Njësisë 5. Pothuajse në çdo këmbë të urës kishte dalë një pronar që i ishte kthyer prona gjatë 8 viteve të ‘qoftë largut’ dhe na duhej të zgjidhnim disa nga këto çudirat shqiptare.

Më vjen mirë që, jo vetëm kemi zgjidhur anomali të kësaj natyre, por i kemi dhënë komunitetit një urë me 4 korsi, me trotuare të mjaftueshëm. Na duhet që ta mirëmbajmë, ta ruajmë. Janë investime që bëhen me shumë pune dhe është shumë e rëndësishme që i gjithë komuniteti të ndihmojë për mirëmbajtjen e saj”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi edhe Planin e Përgjithshëm Vendor të miratuar një ditë më parë nga Këshilli Bashkiak, ku parashikohen më shumë investime për qytetin.

"Më vjen mirë që e hapim këtë urë, jo vetëm një ditë para vitit të ri, por e hapim gjithashtu një ditë pasi kemi votuar Planin e Përgjithshëm Vendor, i cili parashikon më shumë investime të tilla.

Sigurisht që investimet marrin kohë, nuk ndërtohet Tirana për një ditë, megjithatë është e rëndësishme që të mbajmë këtë ritëm. Angazhimi i Bashkisë së Tiranës, pas kalimit të Planit të Përgjithshëm Vendor dhe buxhetit është që të vijojmë me këtë ritëm për qytetin”, tha Veliaj.

Ai shtoi se në “kryeqytet janë 100 kantiere të hapura dhe Tirana është e fokusuar tek puna për të rikuperuar investimet e munguara në vite”.

Kryebashkiaku uroi gjithashtu gjithë qytetarët për festat e fundvitit.

“U uroj gjithë qytetarëve gëzuar, një vit i mbarë, më shumë fokus te puna, më pak te fjalët. Le të mos humbasim më kohë. Tirana ka humbur mjaftueshëm në vitet e fundit! Kemi rikuperuar mjaft në 2016-n. Unë jam optimist dhe besoj se më e mira është përpara. Është vetëm çështje kohe, me optimizëm e punë mund të bëjmë gjëra bashkë që ndryshe janë të pamundura”, u shpreh Kryebashkiaku Veliaj.

Deputeti i PS, Pandeli Majko, e cilësoi ndërtimin e kësaj ure si një ndër dhuratat më të këndshme dhe më simbolike për Njësinë 5.

"Sigurisht, nuk do i shërbejë vetëm Njësisë 5, por pa diskutim do i ndryshojë cilësinë e jetës, duke filluar nga këmbësorët, por sidomos te drejtuesit e automjeteve që këto ditë kanë pasur edhe probleme, për arsye të natyrshme, sepse në Tiranë punohet.

Mendoj se është një ndër gjërat më të veçanta. Kompania ka punuar me një cilësi që flet vetë dhe me disa muaj përpara afatit”, tha Majko.

Rikonstruksioni dhe zgjerimi i kësaj ure ka lehtësuar lëvizjen e mjeteve dhe të këmbësorëve. Pas rikonstruksionit, ura ka një gjerësi totale prej 20 m, me pjesë kaluese 2 x 7 m dhe 1 m trafikndarëse në mes, dhe me trotuare 2 x 2.5 m. /albeu.com/

Shtuar më 30/12/2016, ora 14:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori