Pas Mediut, edhe Pollo nuk kundërshton një aleancë PS-PD kundër LSI-së
Duket e vështirë, por në Partinë Demokratike po ngjizet idea e një koalicioni me bazë të gjerë me socialistët në pushtet me qëllim ndërmarrjen e disa reformave të rendësishme, por më tepër, për të zhvlerësuar një herë e mirë peshën e LSI-së në skenën politike shqiptare.

Ishte republikani Fatmir Mediu ai që hodhi i pari këtë ide duke e paraqitur si një domosdoshmëri për skenën politike shqiptare që të shkulte shembullin e mbjellë nga LSI nëpërmjet blerjes së votës. Kësaj ideje duket se i janë shtuar edhe personalitete të tjera nga e djathta, të cilët tek koalicioni jo i ndershëm por pragmatik me PS-në duket se shohin shpëtimin e të ardhmes së PD-së në zgjedhjet e ardhshme.

Gazeta “Sot” citon Genc Pollon, i cili nuk mohon mundësinë e një koalicioni të gjerë PD-PS, por që ia le një kohë tjetër këtë operacion duke u fokusuar tek reforma në arsim apo ajo në drejtësi për momentin.

“Edhe mundet. Në politikë nuk përjashtohen gjërat dhe nuk ka gjë të ndaluar. Tani kanë rëndësi dhe përparësi të tjera gjëra, si ligji për arsimin e lartë që u miratua vetëm nga mazhoranca” .

Spekullim nën temperatura 40 grade celcius apo jo, duket se idea e një koalicioni PS-PD për të zhdukur LSI-në i vjen për shtat dëshirës së shumë aktorëve të politikës apo individëve të tjerë, të cilët e kanë parë veten të menanjuar nga aleanca e kësaj të fundit me PS-në.

Nga ana tjetër, me hedhjen e shashkave të tilla duket se demokratët kërkojnë të shpërqendrojnë vëmendjen nga problematikat e brendshme në PD, ku Basha gjendet nën një presion të madh për çështje që kanë të bëjnë me administrimin e partisë apo nga kritikat që po merr sëfundmi edhe nga të vetët. /albeu.com/
Shtuar më 23/07/2015, ora 11:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori