Pas kërcënimit, shteti ruan Majkon me eskortë policie
Pëlqej
Albeu.com
Ish-kryeministri Pandeli Majko merret në mbrojtje nga efektivat e policisë. Pas informacioneve kërcënuese që dispononte Shërbimi Informativ Shqiptar, janë marrë masa të forta sigurie për deputetin socialist. Vijon gjithashtu investigimi me qëllim zbulimin e burimit të këtyre kërcënimeve që u drejtuan tek ish-kreu i qeverisë shqiptare në kohën e luftës së Kosovës.

Eskorta

Dy ditë pasi gazeta "Shqip" publikoi informacionet konfidenciale nga SHISH-i, në lëvizjet e tij, që dje Majko shoqërohet nga punonjës të policisë. Të tillë janë vënë re edhe pranë shtëpisë ku banon ish-kryeministri në afërsi në televizionit publik shqiptar. Sakaq, Majko ka vijuar gjatë gjithë këtyre ditëve aktivitetin normal politik. Duke qenë i pranishëm në Kuvend, ashtu sikurse në punimet e seancave plenare. Duke përfituar nga statusi i ish-kreut të qeverisë shqiptare, Majko ka gëzuar të drejtën e shoqëruesve dhe makinës për disa vite. Por tanimë kjo mbrojtje nuk ekzistonte, për shkak se kanë kaluar shumë vite nga koha kur ai është larguar nga ky post. Para se të merrej nën mbrojtje, ish-kryeministri ka pasur vetëm një shofer dhe makinë personale.

Kërcënimi

Burimet konfidenciale pranë Shërbimit Informativ Shtetëror sqaruan dy ditë më parë se kohët e fundit ka pasur informacione të vlerësuara si serioze dhe që vënë në rrezik jetën e ish-kryeministrit. Kreu i qeverisë shqiptare, në kohën e luftës së Kosovës, sipas informacioneve, mund të bëhej pre e një sulmi me qëllim krijimin e destabilitetit në rajon në prag të përcaktimit të statusit final të Kosovës. Prej ditësh drejtuesit e SHISH-it janë vënë në lëvizje për të marrë vesh autorësinë e këtyre kërcënimeve. Mësohet se informacioni në fjalë ka mbërritur përmes rrugëve operative të shërbimit sekret shqiptar dhe jo përmes kërcënimeve direkte tek ish-kryeministri. Paraprakisht ekzistojnë dy pista për zbardhjen e rrethanave të kërcënimit. Së pari dyshohet se ai ka ardhur nga shërbime sekrete të huaja, që mund të jenë të interesuara të krijojnë situata tensioni në rajon. Një pistë e dytë është ajo e implikimit të Armatës Kombëtare Shqiptare, apo pjesëve të caktuara të saj. Në drejtim të pistës së dytë mësohet se janë marrë në pyetje disa funksionarë të AKSH-së.

Deklaratat

Kërcënimet mund të kenë pikënisje nga deklaratat e lëshuara prej tij para pak ditësh. I ftuar në emisionin "Top Story", në "Top Channel", ai kritikoi fuqishëm Gardën e Car Llazarit, ashtu sikurse Armatën Kombëtare Shqiptare. Ndërsa përballë tij në studio ishte i ftuar Gafur Adili, sekretari politik i AKSH-së, me të cilin shkëmbeu shumë replika. "Nuk besoj se ja vlen të merremi me këta drejtuesit e Car Llazarit. Për mua këta janë pak a shumë fenomen i një postorganizate naziskine, e cila nuk është e rrezikshme", qe shprehur Majko. Sipas tij, ja vlen ndonjë herë t‘i dëgjosh për të thënë që këta janë dhe të mendosh se si ka qenë situata përpara pak kohësh, kur me njerëz me mentalitet të tillë drejtohej de facto Serbia. "Nuk jam me logjikën se të gjithë serbët janë pak a shumë si fytyra e këtij idiotit që dëgjuam të fliste në emër të gardës së Car Llazarit", vlerësoi ai. Më tutje Majko u ndal te funksionarët e Armatës Kombëtare Shqiptare, duke i cilësuar njerëz me thes në kokë të cilët dalin dhe flasin. "Më vjen shumë keq që dalin dhe flasin për lirinë apo mbrojtjen e shqiptarëve. Shqiptarët nuk mund të mbrohen me thes në kokë sot në Kosovë", nënvizoi Majko. Nëse ka për të respektuar si njerëz që mbrojnë të drejtat e shqiptarëve, shtoi ai, pavarësisht se mund të kem mendime të ndryshme në disa momente, janë ata të Vetvendosjes. "Këta që venë thes në kokë unë nuk di nga vijnë dhe ku shkojnë. Këta janë një justifikim për të thënë serbët që ja edhe ne duhet të bëjmë kështu si këta", insistoi Majko. Ai shprehu habi që RTK ju jep hapësirë njerëzve me thes në kokë dhe nuk di sa hapësirë mund t‘u jetë dhënë të rinjve që mund të kenë rezervat e tyre ndaj drejtuesve politikë të Kosovës, mënyrës se si vepron Shqipëria, po flas për Vetvendosjen. "Unë jam për të respektuar ata njerëz të cilët dalin pa armë dhe pa thes, sepse Kosova sot nuk është dhe nuk mund të jetë siç ka qenë përpara ‘99", tha Majko.

Deklarata

Majko: Horra që nuk e kanë emrin shqiptar


Për herë të parë pas publikimit të lajmit dhe prononcimit të shkurtër për "Shqip", ku pranonte informacionet kërcënuese në SHISH, ish-kryeministri Majko ka folur sërish. Ai është treguar shumë i rezervuar në atë çka ka thënë, por ka pranuar të japë komentin e parë publik në lidhje me pistat ku po investigohet. "Jo nuk kam ndonjë koment, sinqerisht", u përgjigj Majko, ndërsa u pyet për atë çka po ngjan ditët e fundit. "Nuk e marr me të qeshur, por me thënë të drejtën këta lloj horrash, e kam fjalën për horra që nuk e kanë emrin shqiptarë, kanë të bëjnë me një shtet që sillet si barbar në rajonin tonë, e nuk kam ndërmend të bëj ndonjë koment", vlerësoi ai. Majko nuk deshi të lëshojë deklarata duke hyrë në Parlament, pasi prononcimi iu mor pikërisht në momentin kur po i afrohej Kryesisë së Kuvendit. "Kur do t‘i lëshoj ato, do t‘i lëshoj në një moment të duhur dhe në një vend të duhur", premtoi ai. Ndërsa i pyetur se a ndihet i kërcënuar nga ajo çka po i ndodh, ai u përgjigj: "Unë në vendin tim nuk ndihem i kërcënuar". Para dy ditësh, kur gazeta arriti të marrë informacionet konfidenciale nga Shërbimi Informativ Shtetëror, lidhur me kërcënimet me eliminim për ish-kryeministrin, ky i fundit tha një prononcim të shkurtër. I pyetur nga "Shqip" nëse kishte dijeni për informacionet që disponon SHISH-i, ai tha: "Po, është e vërtetë", duke pohuar se është në dijeni. Një nga materialet që po i shërbejnë prokurorisë dhe SHISH-it në investigimin e kësaj ngjarjeje është edhe faqja e internetit youtube. Aty janë shfaqur në versionin video deklaratat e lëshuara në emisionin "Top Story" nga Majko. Ato figurojnë të postuara nga një person me nickname FBKSH. Ish-kreu i qeverisë shqiptare në kohën e luftës në Kosovë paraqitet në sens kritik. Aty ngrihen pikëpyetje në lidhje me deklaratën e Majkos se garda e Car Llazarit nuk është e rrezikshme. Shkruesit në faqen e internetit bëjnë me faj Majkon për deklaratat e tij të cilësuara prej tyre si vlerësuese ndaj politikës serbe. Pikëpyetjes së Majkos se "këta që venë thes në kokë unë nuk di nga vijnë dhe ku shkojnë", ata i përgjigjen se "vijnë nga tokat shqiptare dhe askund jashtë tyre". Mbi imazhin e Majkos në fund të videos paraqitet e shkruar "Trradhëti!!!". Në të njëjtën hapësirë gjendet edhe videoja e të njëjtit emision me deklaratat e Gafur Adilit. Shkrues të veçantë thonë se çdo kush që e kundërshton Gafur Adilin dhe AKSH-në është tradhtar i kombit, është kundër ribashkimit të Shqipërisë.
G. Shqip
Shtuar më 08/11/2007, ora 19:07
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori