Ndarja nga jeta e ish-deputetit të PD-së, reagon Berisha: Dha një kontribut të pavdekshëm

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Petraq Kolevica.

Nëpërmjet një postimi në Fcebook, Berisha thotë se Kolevica ishte një nga personalitetet më të shquara në fushën e arkitekturës së vendit dhe është nderuar me çmime dhe medalje të shumta për krijimet e tij.

Reagimi i Berishës:

Homazh për Ing. Petraq Kolevicën.

Të dashur miq, Petraq Kolevica njëri nga personalitetet më të shquara në fushën e arkitekturës së vendit, autor i një seri veprash ndër më modernet për kohen mbylli dje sytë përgjithmonë.

Por Petraq Kolevica ishte gjithashtu shkrimtar dhe publicist, përkthyes i shquar që me veprat e tij pasuroi fondin e letrave shqipe me krijime cilësore. Intelektual i shquar Ing. Petraq Kolevica provoi persekutimin e diktaturës dhe do të ishte ndër të parët që mbeshteti revolcionin demokratik të vitit 1990-1991. Ai u zgjodh deputet i Partisë Demokratike në parlamentin e parë pluralist të vendit dhe është i nderuar me çmime dhe medalje të shumta për krijimet e tij.

Duke shprehur nderimin tim të veçantë dhe mirënjohjen time të thellë për kontributin e tij të pavdekshëm shpreh ngushëllimet e mia të ndjera familjes dhe miqve për humbjen e njeriut tyre të dashur dhe lutem që shpirti i tij i mirë të gjej paqen e merituar. Amin. #sb

/albeu.com/