Parullat dhe populizmin nuk i ha pazari
Albeu.com
Mbi peizazhin e zymtë të jetës ekonomike në Maqedoni, “kalendari zgjedhor” duhet të hedh vijat e shpresës për qytetarët. Analistët vlerësojnë se partitë politike e kanë kuptuar “mesazhin” që vjen nga honet e varfërisë, por ata nuk përjashtojnë mundësinë që “retorika parazgjedhore” të “mbytet” në populizëm.Të dhënat më të fundit, të institucioneve ndërkombëtare përshkruajnë një peizazh të zbehtë të standardit ekonomik të qytetarëve. Maqedonia llogaritet si një ndër shtet me një numër më të madh të të papunëve. Brenda kohës, analistë të ekonomisë kanë vlerësuar se ngritja ekonomike po lëviz shumë ngadalë, ndërkohë që për çdo ditë po shtohet aradha e të papunëve dhe e atyre që shpëtim gjejnë te ndihmat e pakta sociale. Varfëria ka kapluar qytetarët, ndërkohë që investimet e jashtme nuk duken gjëkundi.
Mbi këtë peizazh të zymtë të mirëqenies sociale, kalendari i zgjedhjeve duhet të hedh vijat e perspektivës së mundshme. Qytetarët në prag të zgjedhjeve duket se do të ndodhen përballë dy ekstremeve, varfërisë dhe retorikës parazgjedhore. Gjersa qytetarët me sy të lëbyrtë po presin kumtet e shpëtimit, partitë politike tashmë janë në fazën e detektimit të “pikave të nxehta”, të cilat do t’i përdorin si favore në zgjedhje.
Për analistin Ibrahim Memetin, këto zgjedhje nuk do të jenë si ato të mëparshmet, ngase çështjet ekzistenciale po marrin prioritet te qytetarët. “Kësaj radhe edhe partitë e kanë kuptuar se elektorati është i interesuar për çështje ekonomike dhe ekzistenciale”. Sipas tij, kriza e rëndë ekonomike, e cila është e pranishme viteve të fundit, ka bërë që qytetarët të ballafaqohen me probleme jetike. Kësaj radhe, thotë ai, parullat nuk kanë vend, sepse ato do të përballen me mjerimin e qytetarëve. Memeti vlerëson se nuk mund të ketë barazi kombëtare, pa pasur barazi ekonomike. Gjithë ky mjerim, duket se ka vetëdijesuar edhe partitë, të cilat kanë dhënë tashmë shenjat e para se do të përqendrohen në këtë “plagë të tranzicionit”. “Partitë e kanë kuptuar këtë mesazh dhe me siguri se në platformat e tyre do ta inkarnojnë edhe ekonominë”, tha ai.
Analistët shfaqin droje se edhe në këto zgjedhje mund të përdoret “retorikë e përciptë”, në mënyrë që sa më lehtë ta “magjepsin elektoratin”.Sipas analistit Nazmi Maliqi, partitë politike i shmangen problemit të mirëqenies dhe kjo me siguri do të vërehet edhe në këto zgjedhje. “Si duket, përsëri do të kemi akuza nga këndi i euforisë, nga pozicioni partiak dhe grupor”. Maliqi vlerëson se partitë janë të spostuara nga “terreni” i qytetarëve dhe janë jashtë parametrave, të cilat llogariten si esenciale për mirëqenien e tyre.
Analistja, Biljana Vankovska, thotë se gjatë këtyre zgjedhjeve rëndësi të veçantë do t’iu kushtohet problemeve sociale dhe ekonomike, në veçanti varfërisë. Ajo frikohet se kjo retorikë mund të keqpërdoret në forma të populizmit. “ Frikohem se partitë mund të shmangen nga aksionet e mirëqena ekonomike, nga problemet esenciale”.
Sipas Vankovkës ekziston rreziku që faji për gjithë këtë situatë të rëndë ekonomike të zhvendoset te “tjetri” dhe në këtë mënyrë të kthehen përsëri te retorika e etno-nacionalizmit.
BARDHYL ZAIMI, Lajm
Shtuar më 29/04/2006, ora 14:51
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori