Partite shqiptare ne Maqedoni shprehen rreth propozimit te Danajt
Albeu.com
Partitë politike shqiptare shprehen se janë të gatshme të bashkëpunojnë dhe të unifikojnë qëndrimet e tyre rreth çuarjes përpara të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Duke komentuar deklaratën e analistit Koço Danaj ...... dhënë në emisionin ”Rruga drejtë” në Alsat-M se shqiptarët e Maqedonisë janë në pozitë të palakmueshme për shkak të politikanëve të tyre, koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së Tahir Hani tha se subjekti politik që ai përfaqëson është tolerant dhe është i gatshëm për bashkëpunim me të gjitha subjektet politike.
“Shqiptarët duhet të kenë një unifikim rreth parimit që partia fituese në zgjedhje duhet të jetë pjesë përbërëse e koalicionit qeveritar, është një shembull që mund të flasim edhe për shumë shembuj të tjerë që duhet të kemi unifikim të qëndrimeve në proceset politike në një shoqëri. Gjithmonë në momente të rëndësishme kërkohet një bashkëveprim, koordinim dhe ndërtim qëndrimesh të përbashkëta”, deklaroi Tahir Hani – koordinator i grupit parlamentar të BDI-së.
Edhe deputetja Flora Kadriu nga DR-ja vlerëson se partia politike që përfaqëson ajo disa herë ka treguar se është e gatshme të bashkëpunojë duke ofruar zgjidhje të mundshme konkrete për çështjet e hapura për shqiptarët e Maqedonisë
“Duke marrë parasysh se me zhvillimet e fundit në skenën politike në Maqedoni dhe me vendosjen e shqiptarëve në një pozitë më të diskriminuar si asnjëherë më parë, kuptohet se paraqitet nevoja, ideja për një unifikim politik të shqiptarëve dhe ne jemi të gatshëm të ulemi të bisedojmë të gjejmë zgjidhje të cilat do të mundësojnë që këto çështje të cilat janë me vite të hapura për shqiptarët një herë e përgjithmonë të mbyllen”, theksoi Kadriu.
Edhe përkundër kësaj gatishmërie nga përfaqësuesit e partive politike për të unifikuar qëndrimet e tyre dhe për të thelluar bashkëpunimin, në realitet mungon iniciativa. Cili do të bëjë hapin i pari? Në emisionin e mbrëmshëm “Rruga drejtë” në Alsat analisti nga Shqipëria Koço Danaj tha gjithashtu se derisa nuk krijohet opozitë etnike shqiptare për zbatimin e Marrëveshjen e Ohrit, kjo e fundit nuk do të zbatohet asnjëherë deri në fund në frymën e saj reale. (alsat-m)
Shtuar më 28/05/2010, ora 22:27
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori