Pse Perëndimi nuk duhet t’i frikësohet rrëzimit të Putinit

Nga Garry Kasparov & Mikhail Khodorkovsky “Foreign Affairs

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Regjimi i presidentit rus Vladimir Putin i ka orët e numëruara. Vala e historisë po kthehet dhe gjithçka, nga përparimet e Ukrainës në fushën e betejës, tek uniteti dhe vendosmëria e qëndrueshme e Perëndimit përballë agresionit të Putinit, tregojnë se 2023-shi do të jetë një vit vendimtar. Në rast se Perëndimi qëndron i vendosur, regjimi i Putinit ka të ngjarë që të shembet në të ardhmen e afërt.

Megjithatë, disa nga partnerët kryesorë të Ukrainës vazhdojnë që të ngurojnë të furnizojnë Kievin me armët që i nevojiten për t’i dhënë ushtrisë ruse goditjen përfundimtare. Sidomos administrata e presidentit amerikan Joe Biden, duket e frikësuar nga kaosi që mund të shoqërojë një humbje vendimtare të Kremlinit në këtë luftë.

Ajo ka refuzuar të dërgojë tanket e veta, sistemet raketore me rreze të gjatë veprimi dhe dronët që do t’i jepnin mundësi forcave ukrainase të luftonin me potencial të plotë kundër pushtuesit, të rimarrin territorin e tyre dhe t’i japin fund luftës.

Fundi i sundimit tiranik të Putinit do ta ndryshojë rrënjësisht Rusinë (dhe pjesën tjetër të botës), por jo në mënyrën se si mendon Shtëpia e Bardhë. Në vend se ta destabilizonte Rusinë dhe fqinjët e saj, një fitore e Ukrainës do të eliminonte një forcë të fuqishme revanshiste, dhe do të nxiste kauzën e demokracisë në mbarë botën.

Rusët pro-demokracisë që e refuzojnë regjimin totalitar të Putinit – një grup ku bëjmë pjesë edhe ne – po bëjnë gjithçka që munden për ta ndihmuar Ukrainën të çlirojë të gjitha territoret e pushtuara dhe të rivendosë integritetin e saj territorial në përputhje me kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të vitit 1991.

Po ashtu ne po planifikojmë atë që duhet bërë pas largimit të Putin. Komiteti Rus i Veprimit, një koalicion i grupeve të opozitës në mërgim, të cilin ne e bashkë-themeluam në majin e vitit 2022, synon të sigurojë që Ukraina të kompensohet me të drejtë për dëmin e shkaktuar nga agresioni i Putinit, që të gjithë kriminelët e luftës të dalin para drejtësisë, dhe që Rusia të transformohet nga një diktaturë në një republikë federale parlamentare.

Pra nuk duhet të kihet frikë nga fundi i afërt i mbretërimit të Putinit. Përkundrazi ai duhet pritur me krahë hapur. Përpjekja e Putinit për të rivendosur perandorinë e humbur të Rusisë është e destinuar të dështojë. Prandaj, momenti është i pjekur për një tranzicion drejt demokracisë dhe një transferim të pushtetit në nivelet rajonale.

Por që të ndodhë një transformim i tillë politik, Putini duhet të mposhtet ushtarakisht në Ukrainë. Një humbje vendimtare në fushën e betejës do ta çante aurën e pathyeshmërisë së Putinit dhe do ta ekspozonte atë si arkitektin e një shteti të dështuar, duke e bërë regjimin e tij të prekshëm ndaj sfidave të brendshme.

Perëndimi, dhe mbi të gjitha Shtetet e Bashkuara, janë në gjendje të ofrojnë mbështetjen e duhur ushtarake dhe financiare për të përshpejtuar të pashmangshmen dhe për ta çuar Ukrainën drejt një fitoreje të shpejtë.

Por administrata Biden nuk është ende e bashkuar rreth një përfundimi të qartë mbi luftën, dhe disa zyrtarë amerikanë kanë sugjeruar që Kievi duhet të marrë në konsideratë heqjen dorë nga një pjesë e territorit të tij për të arritur paqen, sugjerime që janë shqetësuese.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka bërë të qartë se populli ukrainas nuk do ta pranojë kurrë një marrëveshje të tillë. Çdo lëshim territorial ndaj Putinit do të çojë në mënyrë të pashmangshme në një luftë tjetër. Në themelin e ngurrimit të Uashingtonit për të dërguar në Ukrainë armët e nevojshme, qëndron frika nga pasojat e mundshme të mposhtjes së dukshme të Rusisë në Ukrainë.

Shumë zyrtarë në administratën Biden, besojnë se rënia e Putinit mund të shkaktojë kolapsin e Rusisë, duke e zhytur në kaos shtetin e pajisur më mijëra armë bërthamore, dhe duke e forcuar Kinën. Por frikëra të tilla janë të tepruara. Sigurisht, rreziku i një kolapsi të Rusisë është real.

Por ajo është më e madhe me Putinin në krye të saj – duke e shtyrë vendin në një drejtim gjithnjë e më të centralizuar dhe militarizuar – sesa nën një regjim demokratik dhe federal.

Sa më gjatë të mbetet në pushtet regjimi aktual, aq më i madh është rreziku i një skenari të paparashikueshëm.

Agresioni i Putinit ka nxjerrë në pah paqëndrueshmërinë e natyrshme të modelit të tij të qeverisjes, i cili është ndërtuar mbi nevojën për t’u përballur me armiqtë e huaj. Duke e kthyer Rusinë në një terren për planet e saj ushtarake, mafia e Kremlinit ka kërcënuar tashmë se do të përdorë armë bërthamore në Ukrainë.

Prandaj, Uashingtoni nuk duhet t’i frikësohet kolapsit të regjimit të Putinit, por vazhdimit të mbijetesës së tij. Për gati dy dekada, disa ekspertë perëndimorë kanë pretenduar se populli rus nuk do ta pranojë kurrë demokracinë, dhe se Rusia është e dënuar të jetë një fuqi revanshiste.

Në fakt, propaganda e Putinit ka arritur të rrënjosë tek një segment i konsiderueshëm i shoqërisë ruse pikëpamjen se vlerat perëndimore janë krejtësisht të huaja për Rusinë. Por integrimi ekonomik me Perëndimin, u dha mundësi vendeve të tjera të kapërcejnë trashëgiminë e tyre fashiste.

Dhe integrimi më i thellë me Evropën, i shoqëruar me lehtësimin e kushtëzuar të sanksioneve perëndimore, mund ta ndihmojë Rusinë që të bëjë të njëjtën gjë. Pas humbjes ushtarake të Putinit, Rusia duhej të bëjë një zgjedhje: ose të bëhet vasale e Kinës ose të nisë ri-integrimin me Evropën (duke e kompensuar Ukrainën për dëmin e shkaktuar gjatë luftës dhe ndëshkuar fajtorët për krime lufte).

Për shumicën e rusëve, zgjedhja në favor të paqes, lirisë dhe lulëzimit ekonomik do të ishte e qartë. Madje do të bëhej edhe më shumë nga rindërtimi i shpejtë i Ukrainës. Humbja ushtarake e Putinit do të ndihmonte në nxitjen e një transformimi politik në Rusi, që rusët që kërkojnë një të ardhme më të ndritshme ta çmontojnë regjimin e vjetër dhe të krijojnë një realitet të ri politik.

Komiteti rus i Veprimit ka paraqitur tashmë një plan për këtë transformim, duke synuar rivendosjen e shtetit rus “mbi parimet e shtetit të së drejtës, federalizmit, parlamentarizmit, një ndarje të qartë të pushteteve, dhe duke i dhënë përparësi të drejtave dhe lirive të njeriut mbi interesat abstrakte shtetërore”.

Vizioni ynë është që Rusia të bëhet një republikë parlamentare dhe një shtet federal me fuqi të kufizuara të centralizuara (të nevojshme për politikën e jashtme dhe të mbrojtjes, dhe për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve) dhe me qeveri rajonale shumë më të forta.

Ky proces do të marrë kohë. Brenda 2 viteve nga shpërbërja e regjimit të Putinit, rusët do të zgjedhin një asamble kushtetuese për të miratuar një kushtetutë të re, dhe për të përcaktuar një sistem të ri të organeve rajonale. Por në një periudhë afatshkurtër, nevojitet një këshill shtetëror në tranzicion me fuqi legjislative për të mbikëqyrur një qeveri të përkohshme teknokratike.

Bërthama e saj do të përbëhej nga rusë të përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, nga ata që e kanë mohuar publikisht luftën e Putinit dhe regjimin e tij të paligjshëm.

Shumica gjenden sot në mërgim, ku ne kemi qenë të lirë të organizohemi dhe të krijojmë një shoqëri civile virtuale. Përgatitje të tilla do të na japin mundësinë të veprojmë me shpejtësi dhe të punojmë me fuqitë perëndimore, që duhet të bashkëpunojnë me qeverinë e re ruse për të stabilizuar ekonominë.

Menjëherë pas marrjes së pushtetit, Këshilli Shtetëror duhet të arrijë një marrëveshje paqeje me Ukrainën, duke njohur kufijtë e vendit të vitit 1991 dhe duke e kompensuar atë me të drejtë për dëmin e shkaktuar nga lufta e Putinit.

Po ashtu ai do të refuzojë zyrtarisht politikat perandorake të regjimit të Putinit, si brenda Rusisë po ashtu edhe jashtë saj, duke përfshirë ndërprerjen e çdo mbështetje formale dhe joformale për entitetet pro-ruse në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Dhe kjo do t’i jepte fund përplasjes së gjatë të Rusisë me Perëndimin, duke kaluar në një politikë të jashtme të bazuar në paqen, partneritetin dhe integrimin në institucionet euroatlantike. /albeu.com

Shënim:Garry Kasparov, drejtues i Fondacionit për të Drejtat e Njeriut, bashkëthemelues i Komitetit Rus të Veprimit dhe ish-kampion botëror në shah. Mikhail Khodorkovsky është bashkëthemelues i Komitetit Rus të Veprimit, ish i burgosur politik në Rusi.


Shtuar 21.01.2023 13:54