Parlamenti Shqiptar miraton deklaratën për shtetin e pavarur të Kosovës
Pëlqej
Albeu.com
Deklarata i përmbahet qëndrimit të njohur të Shqipërisë për një shtet të pavarur, demokratik dhe europian të Kosovës në përputhje me aspiratat dhe vullnetin e lirë të qytetarëve të saj.

Kuvendi i Shqipërisë mbrëmë miratoi një deklaratë mbi zhvillimet e fundit që lidhen me çështjen e statusit të Kosovës. Deklarata i përmbahet qëndrimit të njohur të Shqipërisë për një shtet të pavarur, demokratik dhe europian të Kosovës në përputhje me aspiratat dhe vullnetin e lirë të qytetarëve të saj. Parlamenti shqiptar rikonfirmon bindjen se zgjidhja e shpejtë e statusit final dhe respektimi i kritereve të mosndarjes dhe mosndryshimit të kufijve do të ndikonte pozitivisht në zgjidhjen e qëndrueshme e afatgjatë në Kosovë dhe sigurinë e stabilitetin në rajon. Deklarata rithekson vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë për përcaktimin e statusit final, ku pasqyrohen aspiratat dhe vullneti i lirë i qytetarëve të Kosovës për një shtet të pavarur, demokratik dhe evropian; Kuvendi i Shqipërisë, përshëndet me simpati të veçantë qëndrimet e urta dhe sjelljen demokratike të institucioneve, partive politike dhe opinionit publik në Kosovë. Deklarata mbështet Grupin e Kontaktit, i cili thotë se Referendumi Kushtetues, si dhe zgjedhjet në Serbi dhe çështja e statusit të Kosovës, janë dy çështje të ndara, që nuk kanë lidhje me njera tjetrën. Pika tjetër përfshin parimin e tri "jo" ve: Mosndarje e Kosovës, mosbashkim me ndonjë shtet apo me pjesë të ndonjë shteti fqinj, moskthim në gjendjen para vitit 1999. Këtë e ka theksuar gjithashtu, kryetari i Komisionit të Jashtëm, Preç Zogaj. Në këtë pikë, ka pasur një ndryshim paragrafi. Më parë, thuhej se "ndryshimi i kufijve apo ndarja e Kosovës do të kishte pasoja destabilizuese për rajonin", ndërkohë që është formuluar i plotë paragrafi kështu: "Kuvendi i Shqipërisë rikonfirmon bindjen, se zgjidhja e shpejtë e statusit final dhe respektimi i kritereve të mosndarjes e të mosndryshimit të kufijve, do të ndikonte pozitivisht në zgjidhjen e qëndrueshme e afatgjatë në Kosovë dhe sigurinë e stabilitetin në rajon". Deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello, kërkoi që të përfshihej dënimi i qëndrimeve të Serbisë, për të cilat tha se ishin "skandaloze". Vërejtjet shkuan kah trajtimi si "i dobët" i deklaratës, sepse nuk e dënonte qëndrimin e Beogradit. Sakaq, Ylli Pango nga Partia Demokratike, shtoi se duhej theksuar ideja, se "statusi i përkohshëm nuk mund të mbahet pa fund". Deklarata mbështet qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, për angazhimin në zgjidhjen e statusit të Kosovës, si dhe argumentin se nuk duhet të shtyhet më zgjidhja e tij.

Shtuar më 21/11/2006, ora 16:17
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori