Paraja me kamate, po i hane kokat e njerezve
Albeu.com
Mijëra euro për çdo ditë janë pjesë e biznesit ilegal fitimprurës që jepen me kamatë (interes), por me norma të larta, që më pas përfundojnë me një tragjedi apo fatkeqësi familjare, biznesore dhe probleme të tjera.
Bashkësia Fetare Islame apelon që të ndërpritet ky “haram”. MPB thekson se ka sektorë të posaçëm që po lufton këtë dukuri, që përfundon me mashtrime dhe fatkeqësi të ndryshme

Dhënia dhe marrja e parave me kamatë është një dukuri që ka marrë përmasa të mëdha në vend. Nga qindra euro që merren në fillim, me kamatat pastaj përfundojnë në mijëra e deri në milion euro. Njerëz të vrarë, familja të mbetura pa kokë në shtëpi dhe prona të konfiskuara janë pasojë dhe rrjedhojë e këtij biznesi për dikë fitimprurës.

Agjencia e lajmeve INA ka hulumtuar një pjesë të këtij biznesi përfitues për ata që japin paratë. Janë grupe njerëzish, por edhe individë që janë të gatshëm në çdo moment për të ofruar mijëra euro me kamatë, dhe që paratë i japin me deponimin e hipotekave të ndryshme nga shtëpitë, pronat e patundshme, dyqanet, veturat dhe gjësende të tjera me vlerë.

N.S, 45 vjeçar dikur thekson se ka punuar një biznes të tillë, por që tani ka hequr dorë, sepse nuk ka pasur ndjenja për ta bërë një punë të tillë. “Kam dhënë shumë pare, sepse nuk i shfrytëzoja ato për ndonjë investim. Kamatat ishin të larta prej 10 deri në 20 për qind, por që më pas hoqa dorë dhe nuk arrita ti kthejë vetëm paratë e mija, sepse kuptova se njerëzit u bënë viktima që nuk mund ti shpëtonin rrethit fatkeq, për shkak të shumave të larta të parave që duhej të kthenin”, thekson ish-kamataxhiu, i cili shpjegon gjithë funksionimin e këtij biznesi. Disa grupe të organizuara bëjnë skenarë të ndryshme, duke manipuluar me klientët e tyre dhe duke i`a rritur kamatat në rrethana të ndryshme.

“Ndodhë raste kur vjen dita për ta paguar kamatën dhe ai që ka dhënë paratë, zhduket dhe humbet nga kontakti, dhe lajmërohet disa ditë më vonë, mirëpo duke kërkuar para shtesë për shkak të kalimit të afatit të dorëzimit të parave nga klienti. Këto momente janë trishtuese, sepse shoqërohen me frikësim, armë dhe dhunë”, shpjegojnë njohës të kësaj problematike.

Ministria e Brendshme thekson se është e njohur me shumë raste të kësaj natyre, që sipas tyre përfundojnë me viktima dhe probleme të mëdha.

Zëdhënësi Ivo Kotevski ka theksuar se në MPB ekzistojnë njësi që merren me këtë punë dhe inspektorët veprojnë aty ku ka dyshime dhe janë të gatshëm për të ndihmuar qytetarët.

“Na vjen keq për rastet e tilla, mirëpo qytetarët nuk duhet në atë mënyrë të marrin para. Ne bëjmë thirrje që të mos marrin para me kamata të larta dhe në mënyrë të tillë, për shkak se atëherë ata bëhen pjesë të një rrethi që lehtë hyjnë por vështirë dalin”, ka theksuar Kotevski, duke shtuar se po punohet në mënyrë preventive për të zbuluar shumë raste të kësaj natyre.

Nga Bashkësia Islame gjithashtu apelojnë që qytetarët të heqin dorë nga këto dukuri, për shkak se ato janë të ndaluara edhe sipas fesë islame.

“Apelojmë që qytetarët të largohen nga ky haram, sepse është kategori e qartë e ndaluar me fenë islame. Kjo që po bëhet sjellë shumë dëme në shoqëri”, ka theksuar sekretari i përgjithshëm i BFI-së, Afrim Tahiri për agjencinë e lajmeve INA. Edhe ekspertët për çështje ekonomike vlerësojnë se kamata është nga shkaktarët më kryesorë të trazirave ekonomike në shoqëri të ndryshme për faktin se fitimet e kushtëzuara me kamatë bëjnë që t`u vërtetohen dobi investuesve që i kanë dhënë paratë për të hapur biznese, pa marrë parasysh a kanë arritur sukses apo jo në prodhim ato biznese. (ina)
Shtuar më 30/05/2010, ora 20:38
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori