Paraburgimi i Haradinajt, reagime edhe ne Maqedoni
Albeu.com
Bashkimi Demokratik Kombëtar në Maqedoni ka deklaruar se me keqardhje ka pranuar vendimin e Dhomës së Apelit të Tribunalit për krimet e luftës në ish Jugosllavi, për shfuqizimin e vendimit të vitit 2008, që rezultoi me ndaljen ...... në paraburgim, si dhe vendimin për rigjykim të rastit të Ramush Haradinajt dhe dy ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
"Për ne ky vendim është i padrejtë, pasi tenton të barazoj viktimën me kryerësit e krimeve, kështu siç pretendon politika serbe", thuhet në reagimin e BDK-së.

BDK thekson se lufta e UÇK-së ka qenë çlirimtare, ndërsa roli i Ramush Haradinajt, ashtu si edhe bashkëluftëtarëve të tij ka qenë shumë i rëndësishëm për ti sjellë lirinë popullit të Kosovës,ndërsa pafajësia e tyre u dëshmua edhe para dy vitesh nga Tribunali i Hagës.
"Poashtu roli i Liderit të AAK-së Ramush Haradinaj edhe aktualisht është shumë i rëndësishëm edhe për zhvillimet politike në Shtetin e Kosovës. Duke besuar në pafajësinë e Ramush Haradinajt, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, ne besojmë se Tribunali megjithatë do të sjell vendim për lirimin e tyre të shpejtë, me çka do të mbronte kredibilitetin dhe do të dëshmonte se nuk bie pre e ndikimeve politike", thuhet më tej në reagim.

Edhe Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH) përmes një deklarate me shkrim reagon ashpër ndaj vendimit të Tribunalit të Hagës, për rishqyrtimin e rastit Haradinaj.
“Ky vendim i “Dhomës së Apelit” i Tribunalit të Hagës i sjellë një ditë para se Gjykata Ndërkombëtare e drejtësisë të prononcohet lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës është një vendim politik, i mbeturinave politike të këtij tribunali, që synon të relativizojë krimet serbe dhe mungesën e vullnetit të këtij tribunali për të arrestuar kriminelët e vërtetë!”, thuhet në reagimin e BDSH-së.

Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH) dënon këtë sjellje të papërgjegjshme të qarqeve politike të këtij tribunali. Sipas BDSH, spektakli i kurdisur “Haradinaj I” zhveshi përpara publikut ndërkombëtar konstruksionet politike të këtij tribunali dhe detyroi Gjykatën të sjellë vendimin unanim për pafajësinë e të akuzuarve!

“Në ditën e zbulimit të varrezës masive në Komunën e Andievicës në Mal të Zi, ku kriminelët serbë kishin varrosur civilët shqiptar të Kosovës, “Dhoma e Apelit” e Tribunalit të Hagës shfuqizon vendimin e këtij tribunali, i cili unanimisht në vitin 2008 shpalli pafajësinë e Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij”, thuhet në fund të reagimit.
Shtuar më 21/07/2010, ora 17:34
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori